Gjykata Speciale ka filluar me lejimin e vizitave për familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim. I pari që ka takuar familjen e tij është Jakup Krasniqi.
E bija e Jakup Krasniqit, Gresa Krasniqi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka shkruar rreth takimit që ka pasur me të atin pas tetë muajsh. Ajo në postimin e saj ndër të tjera shkruan se jeta është e padrejtë me njerzit e mirë.
“Për 8 muaj e 12 ditë ëndërruam përqafimin tënd e ledhatimet e tua. Sot në prehrin tënd mu qetësua shpirti babi. Harruam gjithçka. Harruam dhimbjen, pritjet, vuajtjet. Jeta është e padrejtë me njerëzit e mirë. Sa i mirë je ti babi, sa shumë padrejtësi durove. E kisha ëndrru këtë moment herë në gjumë e herë me sy qel. Para pasqyrës, çdo mëngjes i përsërisja fjalët që do t’i thoja, para teje u bëra e heshtur. Sa na kishe munguar! Sa e rënd ishte të shoh aty, por të pash më të fort se herëve tjera, megjithëse përballeshe me të tjera padrejtësi të pash më të buzëqeshur se herëve tjera, mjekra e bardhë që ti numëron vitet plot vuajtje të ka bërë edhe më të pashëm”, ka shkruar ajo në Instagram.
Më tej, Gresa ka shkruar “ti nuk kthehesh babi, kisha lexuar shumë shkrime nga ish të burgosur, që tregonin historitë e tua sikur të një superheroi.
“U binda babi, ti nuk thehesh. Ti bëhesh më i fort, e kjo më gëzoi. Sa na kishe munguar. E di, ti edhe njëherë i duhesh Kosovës dhe UÇK-së. Por, na duhesh edhe neve. Padrejtësia babi, vret më shumë se plumbi. U ç’mallem thua, po ky mall vështirë se kalon. Të duam”, përfundon shkrimi i Gresa Krasniqit.
Kujtojmë se më 9 nëntor, në daljen e tij të parë, Jakup Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.