Situata vazhdon të jetë kritike në Deçan, në orët e fundit sërish janë paraqitur qqytetarë në qendrat Shëndetësore për të marrë ndihmë. Prokuroria Themelore në Pejë nga ana tjetër ka nisur hetimet në lidhje me rastet e helmimit, me këtë rast ka lëshuar edhe një urdhër për intervistim të disa personave.
Gjithashtu zëdhënësi Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se Kryeprokurori i kësaj prokurorie ka caktuar dy prokurorë për të marrë në shqyrtim këtë çështje.
“Si urdhëresë e parë ka qenë të bëhet sigurimi i vendit të ngjarjes si dhe sigurimi i videokamerave nga kamerat e sigurisë në atë rajon dhe pista të tjera të hetimit dhe gjithashtu të bëhet intevistimi i zyrtarëve të kompanisë ‘Hidrodrini’, zyrtarëve të mjekësisë familjare në Deçan dhe personave të tjerë që kanë qenë pjesë e hetimit”, ka thënë Nikqi.
Ai nuk ka dhënë një shifër të saktë se sa persona do tëintervistojë prokuroria, pasi sipas tij janë të dhëna kofidenciale dhe nuk mund të bëhen publike, por ka thënë se marrja në pyetje e personave që janë helmuar ka filluar.
Nikqi tha se dy prokurorë dhe institucionet përkatëse në koordinim me policinë janë duke punuar në terren dhe në vazhdimësi ka veprime hetimore që priten të nxirren në vendin e ngjarjes.
Për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme në të cilën pretendohet se shihen dy serbë të dyshuar rreth rastit të helmimit të ujit, Nikqi ëshët shprehur se nuk ka autorizim të flasë për këtë çështje pasi është tejet delikate.
Sjellim në vëmendje se komuna e Decanit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e helmimeve. Deri në këtë momente janë regjistruar 1500 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të helmimit.