Bashkimi Evropian ka njoftuar një sërë ligjes për t’i bërë ballë ndryshimeve klimatike dhe që synon ta shtyjë atë drejt qëllimit për t’u bërë neutral sa i përket karbonit deri në vitin 2050.
Një duzinë projekt propozimesh, të cilat ende duhet të miratohen nga 27 vendet anëtare të bllokut dhe parlamenti i BE, u njoftuan të mërkurën. Ato përfshijnë plane për të taksuar karburantin e avionëve dhe në mënyrë efektive të ndalojnë shitjen e makinave me benzinë dhe naftë brenda 20 viteve.
Propozimet, megjithatë, ka të ngjarë të përballen me muaj negociatash. Planet shkaktuan konflikte serioze në Komisionin Evropian, krahu administrativ i bllokut, ndërsa bëheshin ndryshimet e fundit, thanë burimet për agjencinë e lajmeve AFP.
“Duke vepruar tani ne mund t’i bëjmë gjërat në një mënyrë tjetër … dhe të zgjedhim një mënyrë më të mirë, më të shëndetshme dhe më të begatë për të ardhmen. Është detyra jonë… të sigurojmë mirëqenien jo vetëm të brezit tonë, por të fëmijëve dhe nipërve dhe mbesave tona. Evropa është e gatshme të udhëheqë rrugën”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Masat ka të ngjarë të rrisin faturat e ngrohjes së shtëpive, si dhe të rrisin koston e fluturimeve në BE. Ndihma financiare do të jetë në dispozicion për njerëzit për të instaluar izolim dhe për të bërë ndryshime të tjera afatgjata në shtëpitë e tyre.