Situata vazhdon të jetë kritike ën Deçan të Kosovës, në 24 orët e fundit , 310 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kanë pasur simptoma të helmimit. Lajmin e ka bërë të ditur ën një konferencë për mediat drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha.
“Ndërsa, që nga data 10 deri më 14 (korrik) janë gjithsej 1062 pacientë. Prej ora 07:00 deri në 11:00 janë 55 pacientë”, tha ai.
Banorët e Komunës së Deçanit, kanë shfaqur simptoma të helmimit që nga fundjava e kaluar . Simptomat që kanë shfaqur janë, marrje mëndësh, të vjella, diarre etj.
Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Gjithashtu Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se tashmë ka nisur testimin e mostrave të ujit, të marrë nga kjo komunë, ndërsa shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende.
Sjellim në vëmendje se më 13 korrik, autoritetet lokale shpallën gjendje emergjente në Deçan, për shkak të helmimit masiv të banorëve të kësaj komune.
Po të njëjtën ditë, ujësjellësi “Hidrodrini”, njoftoi qytetarët që furnizohen me ujë nga ky ujësjellës rajonal, se uji ishte i sigurt.
“Informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit janë shqetësim i lokalizuar në vete dhe, siç dihet, të gjithë mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje, në shërbim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve”, tha përmes një komunikate për media ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.
“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.
Institucionet gjegjëse, ndërkaq, kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.