Më shumë se 500 mijë familje të viktimave të Covid-19 në Itali kanë kërkuar në total një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh nga qeveria italiane dhe tashmë çështja ka shkuar në gjykatë. Seanca e parë u mbajt në Romë, bën me dije The Guardian.
Avokatët që përfaqësojnë të afërmit e viktimave të koronavirusit paraqitën një dosje me më shumë se 2,000 faqe të enjten që përmban qindra dëshmi dhe prova të “neglizhencës sistemike” nga autoritetet italiane, e cila pretendohet se shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve.
“Italia ishte vonë për të marrë masa për të frenuar shpërthimin e Covid. Dhe kur e bënë më në fund, këto masa nuk ishin adekuate”, tha Guarduel Consuelo Locati, një përfaqësues ligjor i familjeve.
Siç u zbulua për herë të parë nga The Guardian vitin e kaluar, kur emergjenca shëndetësore pushtoi Italinë, vendi kishte një plan pandemik të vjetër dhe joadekuat që nuk përmendte skenarët dhe supozimet e planifikimit.
Autoritetet italiane dyshohet se nuk e azhurnuan atë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve krijuan udhëzime të reja.
Sipas një raporti prej 65 faqesh të përpiluar nga një gjeneral në pension i ushtrisë, Pier Paolo Lunelli, dhjetëra mijëra vdekje mund t’i atribuohen mungesës së protokolleve të mjaftueshme anti-pandemike.
Dosja përfshin gjithashtu gjetjet e fundit, të cilat po shqyrtohen nga prokurorët italianë, që sugjerojnë se koronavirusi ishte përhapur në të gjithë vendin javë para se të zbulohej zyrtarisht rasti i parë i transmetimit lokal, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë me udhëzimet për mbikëqyrjen epidemiologjike.
Që nga fillimi i pandemisë në Itali, mjekët kanë thënë që ata besojnë se virusi po qarkullonte në vend javë para se të zbulohej zyrtarisht. Disa mjekë në Lombardi, rajoni më i prekur më keq, raportuan se kishin parë raste të “pneumonisë së çuditshme” në pacientë në fund të Dhjetorit 2019. Pavarësisht kësaj, institucionet i injoruan thirrjet.
Sipas avokatëve, pasojat e kësaj neglizhence të mundshme janë se shumë vdekje mund të ishin shmangur. Në seancën e parë dëgjimore, e cila filloi të enjten në Romë, dhjetëra përfaqësues të familjeve të viktimave u detyruan të prisnin jashtë gjykatës, për shkak të kufizimeve të Covid ende në fuqi.
Në Bergamo, prokurorët po hetojnë ende neglizhencën e dyshuar kriminale nga autoritetet italiane në trajtimin e pandemisë. Një ish-drejtor në ministrinë e shëndetësisë në rajonin e Lombardisë dhe pesë menaxherë shëndetësorë që janë nën hetim kanë mohuar çdo keqbërje.
Italia ishte vendi i parë perëndimor që u godit nga pandemia dhe ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve të lidhura me Covid (127.718 deri ditën e sotme) në Evropë, pas Mbretërisë së Bashkuar.