Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se më shumë se 100 mijë qytetarë të Prishtinës, e kanë kaluar COVID-19. Gashi thekson se këto të dhëna, i kanë marrë si rezultat i hulumtimeve që kanë bërë.
“Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 1255 qytetar dhe është realizuar në muajin maj-qershor 2021. Nga ky numër i qytetarëve që janë përfshi në hulumtim del se rreth 47% kanë rezultuar pozitiv në testet serologjike dhe që e kanë kry COVID-19 kanë deklaruar se janë testu me PCR.
Nga kjo i bie se në Prishtinë më shumë se 100 mijë qytetarë e kanë kalu COVID-19, që është një herë gjysmë më shumë se shifrat zyrtare që kemi, ku sipas shifrave zyrtare thuhet se janë rreth 40 mijë qytetarë që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19″, tha Gashi në RTV Dukagjini.
Drejtori i Shëndetësisë, më tej shtoi: “Në hulumtimin për punëtorët shëndetësorë janë përfshirë 475 nga 820 sa ka Prishtina. Rreth 17% kanë deklaru se kanë kalu COVID-19 me test serologjik pra janë verifiku përmes testit serologjik, dhe 39% me testin PCR që del 48% prej tyre kanë kaluar COVID-19.
Kurse me punëtorët e Komunës së Prishtinës janë përfshirë 418 punëtorë, ku 21% prej tyre janë verifiku me testin serologjik që është prania e antitrupave se e kanë kaluar COVID-19”, u shpreh Gashi.