Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak pas mesnate në bregdetin e Velipojës, ku u vranë me armë zjarri katër persona dhe u plagosën dy të tjerë. Mësohet se sherri ka nisur për vendosjen e shezlongëve dhe përfundoi në një tragjedi me 4 të vdekur. Të përfshirë në ngjarje ishin dy familje, Ferracaku e Gocaj, hotelet e të cilëve ishin vendosur 50 metra pranë njëri-tjetrit.
Duket se hapësirat publike në zonën e plazhit vijon të mbetet një shqetësim gjatë sezonit turistik, gjithashtu ato kanë sjellëh çdo vit problematika dhe konflikte në këtë zonë, por kjo ishte e para e këtyre përmasave tragjike.
Pikërisht, për të njëjtën gjë kanë nisur të debatojnë edhe dy pronarët e hoteleve në Velipojë. Burime bëjnë me dije se ata si fillim kanë debatuar me njëri-tjetrin për hapësirat e çadrave dhe më pas sherri ka degraduar deri në përplasje me armë zjarri, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë. Të vrarë mbetën Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç, vëllezër dhe Myzerim Zeneli, 20 vjeç, punonjës i çadrave.
Gjithashtu dy të plagosurit Hasan Ferracaku, 54 vjeç dhe Elmilind Dyli, 17 vjeç, dyshohen si autorë në ngjarje e rëndë. Ndërkohë policia me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë me dije sejanë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë.