Pilot grek, Babis Anagnostopoulos shprehet i penduar për vrasjen e gruas së tij. Në një intervistë ekskluzive nga qendra e paraburgimit, për televizionin grek ANT1, autori deklaroi se do të donte ta kthente kohën pas dhe të ndryshonte gjithçka.
“Do të doja të kthehesha në kohë dhe të ndryshoja gjithçka. Do të doja të mos e kisha shkatërruar jetën tonë, të Caroline-s, të vajzës sime të vogël.” Gjatë një intervistës ai u pyet se çfarë mendon se do të thotë vajza e tij kur të rritet dhe të marrë vesh historinë e familjes së saj. Piloti preferoi të mos i përgjigjej kësaj pyetje:“Nuk kam asgjë për të thënë.”
Ndër të tjera ai ka treguar edhe pse e përqafoi nënën e Caroline-s gjatë funeralit në Alonissos dhe ka thënë se e ka bërë sepse është penduar.
“Unë e përqafova sepse u pendova. E ndjeja dhimbjen e saj. Unë e kam dashur vjehrrën time dhe do ta dua gjithmonë” – është shprehur piloti për mediat greke.
Kujtojmë se pak më parë doli edhe ekspertiza e mjekësisë ligjore e cila tregoi se dëshmia e pilotit nuk përputhej me atë që tregonte ekspertiza. Sipas kësaj të fundit, rezulton që e reja ka qenë në gjumë kur është mbytur nga i shoqi. Këtë e dëshmon ora inteligjente që ajo mbante në duar, e që tregonte se disa orë para vdekjes, pulsi i saj ishte i njëjtë me atë të një personi që fle. Kujtojmë se në dëshminë e tij, bashkëshorti i saj ka thënë se e ka vrarë Carolinën në debat e sipër dhe e ka përqafuar për minuta të tëra, derisa ajo nuk lëvizte më.