Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka folur për rastin e magjistrates Enkeleda Kapedani, e cila tashmë është pezulluar pas publikimit të videove ku shihej duke sfiluar në “Tik Tok”.
I ftuar në emisionin “Arnautistan”, në McnTV, Metani u ndal tek metodat e sjelljes që duhet të ketë magjistrati dhe tek ndarja e jetës publike mes asaj private.
“Nuk ka asnjë dilemë sepse: e para, nuk është në jetën private dhe e dyta, janë bërë publike gjërat. Pra, nuk është se ne shkuam, kontrolluam në shtëpi apo në celularin e magjistrates dhe i morëm asaj video, që i kishte privatisht me shoqërinë apo familjen e saj dhe në i nxorrëm në publik. Fakti u bë publik dhe këtu pastaj hyjnë këndvështrimet, të cilave unë prapë u qëndroj dhe kjo është bindje që vjen jo nga ky rast, por bindje personale për sjelljen e zyrtarit në publik.
Që zyrtari publik në çdo moment duhet të demostrojë seriozitet, që kur ta shohin edhe qytetarët e tjerë, të tregojë seriozitet për pozicionin që ka, për punën që kryen dhe për më tepër për kompetencat që ka, sepse edhe njëherë e theksoj, që me vendimet e veta një gjyqtar apo një prokuror i merr jetën apo pasurinë një qytetari, me të drejtë e pa të drejtë.
Për këtë arsye, ti duhet të jesh shumë rigoroz në sjelljet e tua, duhet të vetëpërmbahesh e duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra, që të tjerët mund t’i bëjnë shumë lirisht, edhe pse mund të jetë brenda sferës private. Pikërisht për këtë efekt, që krijon tek qytetarët vendimarrja jote.
Enkeleda Kapedani u pezullua nga detyra pak ditë më parë, pas videove që i dolën në media, ku shfaqej duke bërë sfilandë në zyrat e gjykatës dhe duke dëgjuar muzikë “gangsta”.
Gjyqtarja është justifikuar për sfilatat e saj në rrjetet sociale, duke thënë se videot dhe foto ia ka bërë vetes për të hequr stresin dhe lodhjen që kishte nga puna. Vendin e saj e ka zënë Matilda Fetahu.