Ministri i Punëve të Brendshëme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar zyrtarisht pas kapjes së një sasie prej 400 kg kokainë në Lipjan. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai ka thënë se ky operacion ka qenë në koordinim me institucionet e partnerëve të Kosovës.
“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë. Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre”, shkruan Sveçla.
Ai po ashtu, theksoi se “Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pa kompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”.
“Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, shkruan ai.
Kujtojmë se një kontejner me rreth 400 kg kokainë, që ka kaluar nga Porti i Durrësit, është kapur në Kosovë ditën e sotme. Burime bëjnë me dije se kokaina ishte e fshehur në një kontejner me mish që vinte nga Brazili. Kamioni u lejua të kalonte tranzit në Shqipëri ndërsa u krye dorëzimi i kontrolluar në Lipjan.
Sipas burimeve bëhet fjalë për një operacion të përbashkët, të mirëorganizuar dhe i koordinuar në mënyrë perfektë mes Policisë Italianë, Policisë së Shtetit dhe Policisë Kosovare. Mësohet se në këtë operacion Policia Shqiptare ishte pjesë themelore e procesit, të dorëzimit të kontrolluar të kokainës. Gjithashtu bëhet e ditur se kamioni ishte i regjistruar në Prishtinë, ndërsa është mbajtur nën vëzhgim i gjithë itinerari i tij për 10 ditë.