Një bidon benzinë në dorë dhe dëshpërimi në sy. Kështu hyri sot Kujtim Mero në qendrën e dializës në Korçë, gati të digjte veten dhe gjithë repartin. Njëzet pacientë të tjerë ngrinin sytë të tmerruar, të lidhur pas aparateve që supozohet t’u shpëtojnë jetën. Por në Shqipërinë e vitit 2025, dializa nuk është shpëtim – është biznes vdekjeprurës.
Çdo pikë gjaku që kalon nëpër tubat e dializës përkthehet në euro për xhepat e pangopur të oligarkëve. Njëzet e një milionë euro në vit. Tetëdhjetë e katër milionë për të gjithë koncesionin. Ndërsa pacientët vuajnë, “Hiena e Bardhë” Klodian Allajbeu numëron fitimet.
Ku shkojnë këto para? Në një labirint kompanish fantazmë që shtrihet nga Tirana në Amsterdam e përfundon në Londër. Allajbeu, mjeshtri i mashtrimit në këmishë të bardhë, ka ndërtuar perandorinë e tij mbi vuajtjen njerëzore. Koncesioni i dializës është vetëm fillimi – laboratorët i sjellin edhe 130 milionë euro të tjera.
E gjithë kjo histori grabitqare filloi me premtime të rreme në tetor 2015. ‘Hemodializa do të bëhet në spitalet publike, por nga privati, me 80 euro për seancë dhe pa asnjë kosto shtesë për pacientët,’ deklaronte kryeministri Rama në Kuvend, duke fshehur faktin se po krijonte një monopol të plotë në duart e privatit. Dhe kush ishte ky privat? Një kompani e quajtur Evita, pronare e një kafeneja në Berat që mezi nxirrte të ardhura për të mbijetuar. Pronarja, vajza e xhaxhait të drejtorit të spitalit, dhe bashkëshorti i saj me gjashtë klasë shkollë, u bënë papritur zotërues të një kontrate 84 milionëshe. Një kompani pa asnjë eksperiencë në fushën mjekësore mori në dorë jetën e qindra pacientëve.
Por hijet e vdekjes nuk hedhin hapa vetëm në korridoret e spitaleve. Ato enden edhe në zyrat luksoze të Ministrisë së Shëndetësisë. Për shtatë vite me radhë, askush nuk kontrolloi asgjë. Ish-ministrja Ogerta Manastirliu dhe orkestra e saj e zyrtarëve të korruptuar qëndruan duarkryq. Tre milionë euro investime të premtuara u zhdukën si shkuma në det, ndërsa paratë e taksapaguesve shqiptarë morën fluturimin për në parajsat fiskale.
Skema djallëzore: Fillimisht Allajbeu krijoi Diavita-n, një kompani guackë me dy fytyra: Evita ShPK me 85% dhe Spitali Amerikan me 15%. Më pas, si një magjistar i financave të pista, e shiti për tre milionë euro tek suedezët e Diaverum në 2019. Dhe kur gjurmët duheshin fshirë përfundimisht, në 2023 e transferoi tek një fond i Emirateve. Një valle miliardash mbi varret e pacientëve shqiptarë.
SPAK ka në duar një mozaik të tërë tradhtie dhe korrupsioni. Çdo emër në listën e turpit është një gozhdë në arkivolin e shëndetësisë shqiptare. Manastirliu që lejoi koncesionin të veprojë si bandë grabitësish. Erion Manohasa, Alketa Hila dhe Anila Denaj që firmosën çeqe pa fund pa pyetur për pacientët. Dhe “maskat” e Allajbeut – Rasim Hamzaraj, Jani Karathano, Sokol Ramizi – kukullat në teatrin e koncesioneve.
Në këtë ferr të bardhë spitalor, mjekët sillen si tregtarë shpirtrash mes publikut dhe privatit. Specialistët janë bërë specie në zhdukje – as endokrinologë, as kirurgë vazalë. Madje as shoferë ambulancash nuk gjenden kur vdekja troket në derë. Spitalet publike janë kthyer në stacione tranziti drejt klinikave private, ku dhimbja ka çmim dhe vuajtja është investim.
Por skandali merr përmasa edhe më monstruoze kur shohim hartën e qendrave të dializës – një dizajn djallëzor për të maksimizuar vuajtjen e pacientëve dhe fitimet e oligarkëve. Koncesionari ka krijuar me qëllim ‘shkretëtira mjekësore’, duke përqendruar shërbimin në pak pika strategjike që detyrojnë pacientët të torturohen nëpër rrugë.
Për shembull, banorët e Ersekës dhe Leskovikut zhyten në një kalvar të përditshëm, duke udhëtuar më shumë se një orë për të arritur në qendrën e Korçës – një torturë çnjerëzore për persona që mezi qëndrojnë në këmbë dhe duhet ta bëjnë këtë rrugë tre herë në javë.
Por kjo është vetëm pjesa e dukshme e mashtrimit. Pas dyerve të mbyllura të këtyre qendrave, koncesionari orkestron një simfoni të përsosur mashtrimi – deklaron seanca që kurrë nuk kryhen, shumëfishon faturat për pacientë që ndoshta as nuk ekzistojnë. Një sistem grabitjeje ku viktimat janë shumë të sëmurë për të protestuar, dhe kontrolluesit shumë të korruptuar për të verifikuar. Koncesionari vazhdon të faturojë seanca fantazmë, duke shtuar zero pas zeroje në llogaritë e tij bankare.
Ata thonë se numrat nuk gënjejnë. Por çfarë na tregojnë tetë nga trembëdhjetë indikatorë që KLSH i cilëson me “rrezik të lartë” për jetën e pacientëve? Na tregojnë se vdekja në Shqipëri vjen me faturë tatimore, e firmosur nga zyrtarë që kanë shitur jo vetëm ndërgjegjen, por edhe jetët e bashkëqytetarëve të tyre.
Sot, bidoni i benzinës i Kujtim Meros ra përtokë pa shpërthyer. Por dëshpërimi i tij është flakë që vazhdon të djegë çdo qytetar shqiptar që ka nevojë për dializë. Ndërsa prokurorët mbledhin prova dhe politikanët numërojnë ryshfete, pacientët tanë vazhdojnë të vdesin. Me këste. Me interes. Me TVSH.
/gazetareforma.com