30 vjetori i Ditës së Rinisë nisi me vrasjen e një të riu në Tiranë, duke e bërë 8 dhjetorin e këtij viti një tragjedi të vërtetë.
Politikanë, ish-studentë të viteve 90- dhe shumë zyrtarë të tjerë kanë përkujtuar 8 dhjetorin me “Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990”, që rrëzoi sistemin komunist dhe solli demokracinë në vend.
Mijëra studentë me në krye Azem Hajdarin u mblodhën në demonstrata kundër sistemit diktatorial me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë europa”, dhe pas përplasjeve të shumta, rrëzimit të bustit Enver Hoxha, Shqipëria mori drejtimin e një vendi demokratik.
Sot pas 30 vitesh ne pyesim a ka arritur vërtetë Shqipëria të jetë një vend demokratik. Me sa duket jo, për sa kohë sot dëgjojmë sërish thirrje të forta “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Nuk mund të quajmë demokraci kur forcat policore ndëshkojnë dhe vrasin pas shpine të rinj të pafajshëm.
Nuk mund të kemi një vend demokratik për t’u hapur dyert në europë kur prindërit gjobiten se kanë thyer orarin policorë për të siguruar bukën e gojës së fëmijëve.
A ka lidhje me demokracinë fakti që burgoset me mbi 5 vjet burg një i varfër se lidhi ilegalisht energjinë elektrike, ndërsa një kriminel apo një përdhunues lihet i lirë?
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha në Tiranë pikërisht në Ditën e Rinisë, i vuri kapakun ëndrrës së shqiptarëve për të qenë si gjithë europa.
Këtë mendim jep edhe analisti Afrim Krasniqi, i cili u shpreh gjatë një interviste televizive se, demokracia dhe liria që kemi sot, nuk funksionojnë në nivelet që duam dhe që presin qytetarët.
Sipas tij nuk jemi në demokraci të plotë për sa kohë mijëra të rinj të talentuar largohen për të ushtruar profesionin jashtë vendit.
“Elitat që qeverisin dhe ata që janë alternativë e tyre, nuk e kanë ëndrrën e Shqipërisë në BE, për sa kohë ndihen komod me mënyrën se si e qeverisin Shqipërinë midis tyre dhe me marrëveshje midis tyre. Sot, ka hendek të madh mes atyre që marrin vendime dhe çfarë qytetarët presin prej tyre.
Ky është një hendek i madh që perëndimorët nuk e pranojnë dot, sepse ka të bëjë me Shqipërinë reale dhe virtuale. Ne i ofrojmë Perëndimit një Shqipëri të mirë në letër, në ligje, por që nuk i zbaton ato. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, asnjë zyrtar të lartë që përballet me drejtësinë për korrupsion dhe nuk ka garanci që vendi do të ketë stabilitet”, u shpreh Krasniqi në Ditën e Rinisë.
Çfarë e bën trishtues këtë përvjetor është fakti se vendet fqinjë të Shqipërisë që në fillim të viteve 90 ishin në luftë, sot janë anëtarë të BE-së, apo po përmbyllin kapitujt negociues. Shqiptarët kanë ikur rregullisht gjatë këtyre 30 vjetëve, një pjesë e vogël janë kthyer vendi ka ndryshuar shumë, elita politike ka mbetur po ajo.
Çfarë ka ndryshuar nga 8 dhjetori 1990
8 dhjetori kujtohet si dita, ku 30 vjet më parë studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës u bënë iniciatorët e kthesës dhe ndryshimit historik.
Në 8 dhjetor 1990, protesta e studentëve, e njohur si “lëvizja studentore”, solli në Shqipëri shembjen e regjimit të egër komunist. Djem dhe vajza të Qytet Studentit u mblodhën për të protestuar nën motot “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Liri”, “Demokraci” “Rroftë Shqipëria e lirë”, etj.
Ata kërkuan rrëzimin e sistemit diktatorial dhe ngritjen e shtetit demokratik që nënkuptonte shtetin e së drejtës, integrimin në Europë si dhe garantimin e pluralizmit politik një nga bazat kryesore të një shteti demokratik.
8 dhjetori u caktua si Dita e Rinisë më 8 dhjetor të vitit 2009 me propozim të Qeverisë Berisha në atë kohë, për të përkujtuar kështu lëvizjen studentore që i dha fund regjimit të errët diktatorial në Shqipëri.
Kështu pritej që kjo thirrje e studentëve të atëhershëm të reduktohej në kohë dhe të vihej në praktikë. Kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por vendi ynë po vuan një “demokraci” që në të vërtetë maskon komunizmin e degjeneruar.
Sot një 25-vjeçar u vra pa asnjë arsye nga efektivë policie, sot shqiptarët po vuajnë në një krizë të thellë, po qeveria e 13-të pas rrëzimit të sistemit komunist?
Kryeministri Rama ndërkohë publikon foton e 30 viteve më parë: Privilegj të isha pjesë e studentëve dhe e udhëheqjes së vendit në 7 vjet, ama asnjë reagim për vdekjen e një të riu në Ditën e Rinisë.
Nuk mbaron me kaq, paradokse të tilla vazhdojnë. Lulzim Basha tregon përralla në Qytet Studenti se kur të vijë në pushtet do të zhduk varfërinë.
A e dini ju sa vonë jeni për t’u plotësuar ëndrrën shqiptarëve? A i keni të hapu veshët se thirrja “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është kthyer “.. Po largohem nga Shqipëria se nuk kam një të ardhme? E pra, faktet tregojnë se demokracia nuk ka ardhur edhe pas 30 vitesh tek ne, por paradoksi po na udhëheq./Gazetareforma.com/