Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur shqetësimin në lidhje me numrin e lartë të aplikantëve shqiptarë për azil në Britaninë e Madhe. Meta duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Britani, thotë se tronditës është fakti se rreth 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë, ndërsa 13.7 % e kërkesave janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç. Sipas Metës përgjegjësi kryesor për këtë fenomen është kryeministri Edi Rama.
Reagimi i plotë:
Numri i aplikimeve për azil në Britaninë e Madhe nga shtetasit shqiptarë shënoi nivel rekord për vitin 2022!
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se rreth 16 mijë shqiptarë kërkuan azil në Britani dhe se 72% e tyre ishin më pak se 29 vjeç.
Tronditës është fakti se rreth 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë, ndërsa 13.7 % e kërkesave janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç.
Të rinjtë shqiptarë ikin nga Shqipëria, si nga asnjë vend tjetër i rajonit, për shkak të qeverisjes së korruptuar 10 vjeçare të Edi Ramës, që i ka detyruar t’u hipin gomoneve të shpresës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Përgjegjësia e shpopullimit të Shqipërisë është e Ramës, ndaj largimi i tij është domosdoshmëri për shpëtimin e vendit!
Më 14 Maj është dita për të ndëshkuar me votë përgjegjësin kryesor të shpopullimit!