Në Shqipëri, një numër i konsiderueshëm familjesh vazhdojnë të jetojnë në kushte të ngushta, ku sipërfaqja e banesave është shumë e vogël për numrin e anëtarëve.
Sipas të dhënave të Censit 2023, rreth 40,7 mijë banesa janë më pak se 40 metra katror, dhe në to banojnë më shumë se katër persona. Kjo është një situatë që reflekton kushte të ngushta dhe të vështira për jetesë.
Këto kushte janë të përqendruara kryesisht në qytetet më të mëdha si Tirana dhe Elbasani, ku kostot e jetesës janë të larta dhe ka një presion të madh urban.
Në Tiranë, mbi 8 mijë familje jetojnë në hapësira kaq të vogla, ndërsa në Elbasan mbi 5 mijë. Pjesa më e madhe e këtyre familjeve ka më shumë se katër anëtarë, duke e bërë jetesën edhe më të vështirë për ta.
Në përgjithësi, ndërkohë që Shqipëria ka investuar në ndërtimin e shumë banesave, një pjesë e madhe e këtyre nuk janë të banuara (rreth 32,9%), ndërsa shumë familje vazhdojnë të jetojnë në kushte të papërshtatshme.
Kjo tregon një pasiguri të theksuar në lidhje me sigurimin e hapësirave të mjaftueshme dhe të përshtatshme për jetesë për të gjithë qytetarët, sidomos në zonat urbane ku kërkesa për strehim është më e lartë./ Monitori