Tetë prokuroët e përzgjedhur të SPAK, u betuan sot përpara presidentit, Ilir Meta.
Ceremonia nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar, më pas vijoi me leximin e vendimeve të KLP dhe në fund betimi me dorën mbi Kushtetutë.
Prokurorët u shprehën: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”.
Gjatë ceremonisë ishin të pranishëm edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, kryetarët e KLGJ dhe KLP si dhe ndërkombëtarët.
Me mandat 9-vjeçar dhe pa të drejtë emërimi, prokurorët që do të hetojnë zyrtarët e lartë janë: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami(Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura e posaçme që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkohë ditën e djeshme KLP mori në intervistë tre kandidatët për kreun e SPAK, të cilët ishin, Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja.