Dy ditë më parë një ngjarje e rëndë është regjistruar në Kamëz, ku një vajzë e re, 27 vjeç është vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte, pasi një 39 vjeçar i kishte publikuar foto intime në TikTok.
Ajo gjeti vdekjen e menjëhershme, teksa mësohet se e reja ishte në shtëpinë e prindërve kur u vetëvra. Burime bëjnë me dije se vajza ishte e martuar në Kosovë dhe kishte ardhur të qëndronte disa ditë tek prindërit.
Policia e Tiranës ka bërë me dije sot se djali që publikoi foton është “VIP”-i i TikTok-ut, Altin Çoku, shok i personazhin Cllevio.
Ai ka publikuar një video-live në TikTok ku tregonte se pse e ka publikuar foton e vajzës së re, teksa nuk hezitonte ta ofendonte vajzën e re. I riu ka rënë në prangat e policisë dhe po hetohet për ngjarjen e rëndë.
Kujtojmë se Atini në TikTok shpesh përdor gjuhë seksiste dhe urrejtjete, teksa nuk heziton që të dalë me imazh dhe zë, duke shantazhuar edhe vajza të tjera.
NJOFTIMI I POLICISË
I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
– A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.