Ditën e sotme janë mbushur 6 muaj nga lufta në Ukrainë, vjen një reagim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim. Kjo e fundit përmes një shkrimi në faqen zyrtare të ambasadës, thekson se ka pasur reagim mbarëbotër ndaj luftës së Vladimir Putinit.
Sipas ambasadores, Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si aleate e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë posaçërisht krenare që kemi qenë bashkëpenëmbajtës.
Reagimi:
Ukraina, një vend i sulmuar nga Rusia prej vitit 2014, tashmë i ka qëndruar gjashtë muajve bombardimesh masive, rrethime qytetesh dhe mizori kundër popullit të saj. Ukraina po Lufton për të mbrojtur jo vetëm demokracinë e saj, por vetë mbijetesën si vend i pavarur.
24 gushti shënon 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës. Për fat të keq, kjo ditë shënon edhe gjashtë muaj që prej pushtimit të paprovokuar, të plotë të Ukrainës nga Rusia, një sulm kaq shokues për bashkësinë ndërkombëtare sa që u dënua tërësisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nxiti dy vende të reja të kërkonin anëtarësim në Aleancën e NATO-s.
Duhet të mbetemi të bashkuar në mbështetjen tonë për sovranitetin, demokracinë dhe aspiratat europiane të Ukrainës. Agresioni rus i Ukrainës është një nga ngjarjet më me pasoja për Europën që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Forcat ruse kanë kryer krime lufte dhe mizori dhe lufta e tyre në Ukrainë do të ketë pasoja negative në pasigurinë ushqimore botërore dhe ekonominë globale për vite me radhë.
Reagimi mbarëbotëror ndaj luftës së Vladimir Putinit kundër Ukrainës ka qenë kaq i thellë dhe ka prekur aq shumë njerëz sepse në këtë luftë, kemi parë prova – thuajse të përditshme – të dhunës, shkatërrimit, rrënimit, dhe vdekjes.
Pasojat e luftës së Rusisë nuk kufizohen vetëm tek Ukraina. Agresioni i Rusisë ka përmbysur tregtinë globale të grurit, duke rrezikuar sigurinë ushqimore për shumë popullsi. Kriza aktuale po ashtu ka nxitur inflacionin dhe çmimet e pakicës anembanë botës. Shqipëria sigurisht nuk është vetëm teksa ndjen pasojat negative të luftës që ka zgjedhur të bëjë Rusia.
Si aleate në NATO dhe anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë posaçërisht krenare që kemi qenë bashkëpenëmbajtës me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së teksa i japim zë mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Raportimet se zyrtarë rusë mbikqyrin operacionet të ashtuquajtura ‘filtrimi,’ kombinuar me prova se forcat e tyre kanë marrë në pyetje, ndaluar, zhvendosur, ose deportuar me forcë miliona qytetarë ukrainas, përfshi fëmijë, kanë shkaktuar zemërim.
Të gjithë i kemi parë imazhet e pasojave të bombave ruse që godasin civilë të strehuar në shkolla, teatro e spitale. Mediat e pavarura dhe organizatat humanitare kanë dokumentuar ekzekutime në qytete si Bucha dhe Irpin, tortura të personelit në uniformë dhe civil, si dhe qytete të tëra si Mariupoli të shkëputura nga nevojat më bazë ndërkohë që përballen me rrënimin dhe pushtimin brutal.
Po ashtu ka prova se Rusia synon të tentojë aneksimin e territoreve të mëtejshme ukrainase me forcë, duke shpalosur kështu versionin e ‘udhëzimeve të aneksimit’ që pamë në vitin 2014, duke instaluar zyrtarë jolegjitimë të vetët për të organizuar referendume të shtirura për bashkim me Rusinë. Aneksimi me forcë do të ishte një shkelje shumë e rëndë e Kartës së OKB-së dhe ne nuk do ta lejojmë të ndodhë pa u sfiduar apo pa kosto. Asnjë shtet nuk duhet të jetë në gjendje të ndryshojë kufijtë e fqinjëve në mënyrë të njëanshme.
Mes gjithë këtyre vdekjeje dhe shkatërrimi, ukrainasit janë strehuar në bunkerë nën tokë, kanë rrezikuar jetët për të grumbulluar prova për mizoritë si dhe kanë luftuar – hera-herës rrugë më rrugë – për të mbajtur gjallë popullin, gjuhën, lirinë dhe identitetin. Qëndrueshmëria dhe ngulmimi i popullit të Ukrainës kanë frymëzuar botën për të mbështetur luftën e tyre për liri. Forcat e armatosura të Ukrainës kanë luftuar me trimëri për të mbrojtur vlera që të gjithë i kemi të shtrenjta.
Shtetet e Bashkuara po mbështesin një gamë hetimesh ndërkombëtare për mizoritë në Ukrainë. Kjo përfshin ato të kryera nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara, dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të mbështetur gjykatat kombëtare kudo në botë që kanë juridiksion mbi individë të akuzuar për kryerjen e krimeve ndërkombëtare. Po ashtu, do të vazhdojmë të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të ndihmuar Ukrainën të rindërtohet.
Ukraina i ka rezistuar sulmeve shkatërrimtare në toka bujqësore, transport dhe infrastrukturë magazinimi, duke penguar aftësinë e saj për të ushqyer qytetarët e vet dhe aq shumë të tjerë në botë. Në shumë raste, forcat ruse praktikisht i kanë djegur fushat e Ukrainës.
Fermerët ukrainas, të cilët dikur shpresonin për të korra rekord gjatë verës, tani rropaten për të zëvendësuar pajisjet e vjedhura dhe dëmtuara dhe luftojnë për të mbajtur familjet gjallë dhe komunitetet që t’ia dalin.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin të gjitha përpjekjet për të siguruar që ushqimi nga Ukraina të arrijë në tregjet botërore. Do të vazhdojmë të përdorim forume si G20 për t’i bërë presion Rusisë që t’i përmbahet marrëveshjes së fundit që lejon tranzitimin e ngarkesave në ushqime nga portet e Ukrainës në Detin e Zi. Me sulmin e pacipë të Rusisë mbi portin e Odesës vetëm 24 orë pas arritjes së marrëveshjes, së bashku me sulmet e vazhduara mbi infrastrukturën e transportit dhe bujqësore, trusnia ndërkombëtare për të zhbllokuar eksportet ushqimore të Ukrainës do të vazhdojnë të jenë kritike.
Pavarësisht kostove të stërmëdha që Vladimir Putin i ka shkaktuar Ukrainës dhe botës, sanksionet nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë synojnë ta detyrojnë Kremlinin të ndalë dhunën dhe po japin efekte në ekonominë ruse, e cila ka kërkuar ndërhyrje të paprecedenta (dhe të paqëndrueshme) nga Kremlini për të parandaluar dëme domethënëse.
Ekonomistët parashikojnë se, në pikëpamje afatgjatë, teksa sanksionet zgjerohen dhe shtrëngohen, qeverisë ruse do t’i mbarojnë taktikat bllokuese dhe kostoja e vërtetë e veprimeve të saj do të bëhet e qartë deri në dhimbje për popullin rus.
Faktet janë aty dhe kushdo mund t’i shohë. Kremlini ka dështuar të raportojë matrica makroekonomike kyçe për disa muaj tashmë. Pretendimet e Putinit se Rusia po ia dilte më mirë se BE-ja, shifrat faktike tregojnë të kundërtën, ku ekonomia ruse u kontraktua katër përqind në tremujorin e dytë të vitit 2022, ndërkohë që ekonomia e BE-së u rrit me atë përqindje. Rusia tashmë nuk ka arritur të bëjë dy pagesa borxhesh dhe ka dështuar në borxhin në valutë të huaj për herë të parë në më shumë se një shekull.
Sanksionet e bashkërenduara po ashtu kanë ngrirë më shumë se gjysmën e rezervave të Bankës Qendrore Ruse, para që Kremlini përndryshe do t’i përdorte për të financuar makinerinë e vet të luftës. Mungesa e qasjes në inpute të importuara dhe mallra të gatshme, sidomos mallra që nevojiten për teknologji të sofistikuara, ka krijuar ngecje dhe, me kalimin e kohës, do të pengojë më tej prodhimin, trasnportin dhe kredinë dhe, ç’është me rëndësi, prodhimin dhe mirëmbajtjen e makinerive ushtarake.
Teksa sanksionet vazhdojnë të degradojnë aftësitë e Putinit për luftë, forcat ukrainase po mbrojnë me sukses vendin e tyre dhe populli ukrainas është më i bashkuar se kurrë.
Që kur pushtimi në shkallë të plotë nga Rusia filloi në shkurt, mbi 50 vende janë bashkuar me Shtetet e Bashkuara për të dërguar ndihmë sigurie në Ukrainë. Së bashku, po përshpejtojmë dërgesat e më shumë armëve që Ukraina po i përdor kaq efektshëm për të mbrojtur veten.
Shtetet e Bashkuara kanë përkushtuar afro 10 miliardë dollarë asistencë sigurie që kur Rusia filloi luftën e saj të paramenduar, të paprovokuar dhe brutale kundër Ukrainës më 24 shkurt. Kjo përfshin sisteme dhe municione artilerie, automjete të blinduara si dhe sisteme të përparuara mbrojtjeje ajrore për Ukrainën.
Si rezultat i qëndrueshmërisë së Ukrainës, mbi 2.6 milionë persona të zhvendosur janë kthyer në Ukrainë, mbi një e treta e atyre që ishin larguar fillimisht.
Shoqëria civile ukrainase ka zgjeruar përpjekjet e saj për përgjigje humanitare, duke organizuar ndihma dhe rindërtuar komunitete. Punonjësit e ndihmës, shumica e të cilëve janë ukrainas, funksionojnë në të gjitha 24 rajonet, duke arritur afro 12 milionë njerëz me ndihma. Shtetet e Bashkuara janë krenare t’i mbështesin përpjekjet e tyre me mbi 1.2 miliardë dollarë asistencë humanitare vetëm këtë vit.
Nga Main Street në sheshin Maidan, nga Kongresi në Concilium të BE-së, mbështetja e gjerë për Ukrainën ka demonstruar se sulmet e paprovokuara ndaj shteteve sovrane, të pavarura nuk kalojnë pa përgjigje dhe do të kenë një çmim shumë të lartë. Shtetet e Bashkaura dhe aleatët e partnerët tanë anembanë botës jemi më të bashkuar se kurrë.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës dhe të mbështesim luftën e saj për mbijetesë ndërkohë që punojmë për të forcuar sigurinë europiane dhe vlerat demokratike. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse kufijtë dhe furnizimet me ushqime nuk janë fisha pazaresh. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse të drejtat e njeriut janë të padiskutueshme. Ne qëndrojmë me Ukrainën sepse është gjëja e duhur.