Një nismë për ndryshime në Kodin e Punës, që synon garantimin e të drejtave fetare për punonjësit myslimanë, u prezantua dje në Kuvendin e Shqipërisë. Propozimi parashikon që besimtarët myslimanë të përfitojnë dy orë pushim çdo të premte në mesditë për të kryer faljen e xhumasë, si dhe të kenë mundësi të shkëputen nga puna për faljet e përditshme.
Në komisionet parlamentare, diskutimi u shoqërua me debate. Një ndër pikat që ngjalli më shumë interes ishte ajo që u kërkon punëdhënësve të sigurojnë hapësira të posaçme për falje në ambientet e punës, nëse kompania ka mbi 50 punonjës të besimit mysliman.
Deputetja Shpresa Marnoj shprehu rezerva lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij propozimi, duke ngritur pyetjen për mundësinë e abuzimeve:
“Si do të kontrollohet? Sepse kur vjen puna te pushimi nga puna, mund të ketë raste që nuk e përdorin për arsye fetare, por për të shmangur orarin e punës.”
Përballë këtij shqetësimi, propozuesi i ndryshimeve, deputeti Gështenja, u përgjigj:
“Nuk besoj se dikush që thotë se do të falet po gënjen. Po flasim për njerëz që kanë besim tek Zoti.”
Megjithatë, nisma nuk kaloi pa kundërshtime edhe në planin kushtetues. Deputetja socialiste Milva Ikonomi theksoi se Shqipëria është shtet laik dhe shteti nuk duhet të ndërhyjë në organizimin e praktikave fetare.
“Kushtetuta e thotë qartë: Shqipëria është një republikë laike. Besimi është çështje personale dhe nuk është detyrë e shtetit të ndërhyjë në këtë raport.”