Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi sot projektligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, propozuar nga deputeti socialist Nasip Naço.
Projektligji synon lehtësimin e kushteve të izolimit për të dënuarit, duke parashikuar kalimin e atyre që kanë kryer 2/3 e dënimit nga burgjet e sigurisë së lartë në ato të sigurisë së ulët dhe më pas në “burgun e hapur”.
Deputetja demokrate Dhurata Çupi kundërshtoi nismën, duke e cilësuar atë si një manovër elektorale. Ajo theksoi se propozimi rrezikon sigurinë publike.
Dhurata Çupi: Ky është një nga ligjet më të rrezikshme të depozituara në Komisionin e Ligjeve dhe padyshim në vazhdën e pr/ligjeve me efekte elektorale që është efekti më i vogël krahasuar me por më e rënda, rrezikshmëria shoqërore që sjell. Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, pra është një ligj qartazi me efekt elektoral. Kodi Zgjedhor e ndalon miratimin para zgjedhjeve të 11 majit. Kjo do të thotë që në mars burgjet do hedhin valle si të duan, pushteti me të burgosurit për votën në 11 maj.
Pytetja e parë është për deputetin që e propozon, zoti Naço jeni intimiduar kur e keni iniciuar këtë ligj, ua ka kërkuar dikush? Qeveria? Individë të veçantë? Ministria e Drejtësisë? Dhe duke qenë se është një ligj i rrezikshëm për shoqërinë, Ministria e Drejtësisë e ka patur në programin dhe strategjinë e vet iniciiimin e këtij projektligji? Çfarë implikimi ka në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale ky projektligj? Tjetra, është padrejtësi për viktimat. Për ato nëna që dëgjojnë nga Tv se djalin apo të afërmin e ka në varr dhe të dënuarit apo kriminelët e rrezikshmërisë së lartë do ju zbutet vuajtja. Ka një përgjigje për këta? Manipulimin e sigurisë në burgje. Askush nuk jep një garanci si do jenë këto burgje? A do manipulohen drejtuesit e burgjeve për t’i kaluar të dënuarit nga një vend me siguri të lartë tek një burg me siguri të zakonshme. Në 2023 votat e burgjeve ndikuan në fitoret e bashkive të Kavajës dhe Rrogozhinës nga e majta. Ndikim jashtëzakonisht negativ sa i takon parandalimit të krimeve sepse ti nuk motivon dënimin e krimeve, por e demotivon.
Zoti Salianji vuan një dënim politik. Nga muaji mars, kolegu i imi dhe i juaji, deputeti më i votuar në Qarkun e Korçës, nga muaji mars do vuajë dënimin në të njëjtën qeli me të dënuarit e rrezikshmërisë së lartë.
Nasip Naço: Duke iu referuar edhe statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, numri total i të dënuarve dhe paraburgosurve është rreth 5000 dhe numri i punonjësve të policisë dhe administratës është gati 5000. Raporti është 1 polic për 1 të dënuar.
Vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Italia, Luksemburgu etj. kanë aplikuar tashmë regjime të ndryshëm për kategori të ndryshme për kategori të dënuarish regjim që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar.
Më i përshtatshëm për rastin e Shqipërisë të paraqitur pranë jush, nga ana ime është parë modeli anglez. Në rastin anglez në kategorinë D të njohur si burgje të hapura akomodohen të burgosur me risk shumë të ulët të cilët gjithashtu janë në përfundim të vuajtjes së dënimit. Të dënuarit në këtë burgje kanë liri lëvizje, mund të marrin pjesë në programe pune dhe ose aktivitet komunitet jashtë burgut. Në këto burgje mund të vendosen persona të cilët vuajnë një dënim me burg me ose pa lirinë me kusht dhe që u ka mbetur më pas se 3 vjet për t’u liruar. Qëllimi në propozimin e këtyre amendamenteve të këtij ligji është të kemi një Kod me kosto sa më të ulët për buxhetin e shtetit dhe për çdo të dënuar.
T’u garantojmë atyre kushtet për trajtimin me dinjitet dhe në çdo rast respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe nëpërmjet ndryshimit të propozuar të realizohet që në institucionet e sigurisë së lartë të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic rreth 5 të dënuar. Institucionet e sigurisë së zakonshme të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për të dënuar në raportin 1 polic për rreth 5 deri në 10 të dënuar. Në institucionet e sigurisë së ulët të bëhet kalimi nga raporti 1 polic për çdo të dënuar në raportin 1 polic për 5-10-20 të dënuar.
Propozoj që nëse janë te burgu i Sigurisë së Zakonshme dhe nëse kanë bërë 2/3 e dënimit, Komisioni i Vlerësimit të të Dënuarve i kalon në një shkallë më poshtë te burgu i Sigurisë së Ulët dhe që këtu kalojnë te burgu i hapur. Qëllimi im është burgu i hapur dhe kur të punësohen do të marrin 40% të pagës dhe 60% të pagës do ta marrë shteti.
Dhurata Çupi: Jeni telefonuar për ta bërë këtë propozim?
Nasip Naço: Më kanë dërguar telegram… Janë 100 mln euro që përdoren vetëm për të dënuarit. Çdo i dënuar ka kosto. Janë shtuar 40 mln euro për 2012-2024, për të njëjtin numër të dënuarish dhe policësh.