Pas denoncimit nga ish-kryeministri Sali Berisha se një 13-vjeçare është përdhunuar në një shkollë të Kavajës, kanë dalë detaje të reja.
Sipas denoncimit të ish-kryeministrit Berisha, 13-vjeçarja ishte përdhunuar nga 8 djem të shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë dhe se kjo ngjarje ishte fshehur nga autoritetet përkatëse, madje drejtoresha e Zyrës Arsimore të Kavajës nuk kishte marrë asnjë masë ndonëse kishin kaluar 2 muaj.
E megjithatë, pak orë pas publikimit të lajmit, disa nxënës të kësaj shkolle kanë raportuar për “JOQ” se përdhunuesit nuk kanë qenë 8, por 16 persona. Mësohet se 14 nga ta janë nxënës të shkollës “Rilindja”, ndërsa 2 të tjerë janë gjimnazistë.
Po ashtu raportohet edhe një detaj tjetër i tmerrshëm. Vajza e mitur nuk e kishte denoncuar ngjarjen, pasi djemtë e kërcënonin me publikimin e një videoje intime mes saj dhe të dashurit në rrjetet sociale apo dërgimin e saj në adresë të prindërve.