Qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e marrjes përsipër të borxheve të kompanisë “Air Albania”, një zhvillim që do të rëndojë drejtpërdrejt mbi taksapaguesit shqiptarë, pasi fondet pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit, pra me paratë e qytetarëve.
Sipas raportimit të medias ndërkombëtare “AeroTelegraph”, me bazë në Zvicër, bëhet fjalë për rreth 100 milionë euro detyrime të papaguara nga kompania ajrore, që përfshijnë qiratë e avionëve, tarifat aeroportuale, furnizimin me karburant, si dhe shërbimet e ushqimit.
Në këtë situatë financiare të rënduar, qeveria e kryeministrit Edi Rama po shqyrton marrjen përsipër të një pjese të këtyre borxheve, duke i transferuar në praktikë mbi qytetarët përmes taksave.
Sipas të njëjtit burim, për të shmangur procedurat ligjore dhe përballjen me kreditorët ndërkombëtarë, shteti shqiptar mund të marrë përsipër rreth 35 milionë euro nga këto detyrime. Këto fonde pritet të përdoren për të shlyer pretendimet që partnerët ndërkombëtarë kanë ndaj kompanisë së falimentuar.
“Qeveria shqiptare po shqyrton marrjen përsipër të një pjese të borxheve të linjës ajrore të falimentuar. Kjo rrjedh nga detyrime të papaguara prej afërsisht 100 milionë eurosh, duke përfshirë pagesat për qiratë, tarifat e aeroportit, karburantin dhe shërbimin e ushqimit, sipas raportimeve të mediave lokale. Për të shmangur procedurat ligjore, shteti mund të marrë përsipër rreth 35 milionë euro. Këto fonde do të përdoren posaçërisht për të zgjidhur pretendimet kundër Air Albania nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në raportim.
Ky zhvillim nënkupton se një pjesë e konsiderueshme e barrës financiare të “Air Albania” rrezikon të përballohet nga buxheti i shtetit, duke u kthyer në një kosto direkte për taksapaguesit shqiptarë.








