Skip to content
Kryesore

Zjarri shkrumbon banesën në Fier, gruaja pëson djegie të rënda! Familja me 4 anëtarë mbetet pa strehë

· 2 min lexim

Një banesë është shkrumbuar thuajse plotësisht nga flakët mesditën e kësaj të premteje në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, ndërsa pronarja e shtëpisë ka pësuar djegie të rënda dhe familja prej katër anëtarësh ka mbetur pa strehë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00. Banorët e zonës kanë konstatuar zjarrin dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve. Ndërhyrja e tyre ka parandaluar përhapjen e zjarrit drejt banesave të tjera, të cilat ndodheshin shumë pranë shtëpisë së përfshirë nga flakët.

Gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesën dhe për të shuar zjarrin, pronarja e shtëpisë ka pësuar djegie të rënda. Ajo është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa për shkak të gjendjes së saj pritet të dërgohet drejt Tiranës për trajtim të specializuar.

Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke e lënë familjen prej katër anëtarësh pa strehë. Familjarët jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe tashmë përballen edhe me humbjen e banesës.

Ata u kanë bërë apel institucioneve dhe kujtdo që ka mundësi t’i ndihmojë për të përballuar situatën dhe për të siguruar një strehë.

Ndërkohë, po punohet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.