Studentët nuk tërhiqen, të shtunën në 11:00 protestë masive para Kryeministrisë bashkë me diasporën: Rama përballë zemërimit qytetar, bashkohuni!

Protesta studentore në Tiranë nuk ndalet. Pas dhjetë ditësh mobilizimi, tensionesh dhe përplasjesh në rrugët e kryeqytetit, studentët kanë paralajmëruar një tjetër tubim për të shtunën, më 24 tetor, në orën 11:00, përpara Kryeministrisë.
“Të shtunën, të gjithë në shesh!” është thirrja që po shpërndahet në rrjetet sociale, ndërsa pritet një pjesëmarrje e gjerë e studentëve, qytetarëve dhe shqiptarëve të diasporës.
Protesta është paralajmëruar si një tubim studentor, popullor dhe i diasporës, me pikë grumbullimi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Prej dhjetë ditësh, studentë, gjimnazistë dhe të rinj kanë dalë në rrugët e Tiranës duke kundërshtuar qeverinë. Protestuesit kanë refuzuar dialogun e ofruar nga Rama, duke këmbëngulur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit.
Ditët e fundit janë shënuar nga tensione dhe përplasje, por mobilizimi ka vijuar. Thirrja për të shtunën synon ta zgjerojë protestën përtej studentëve, duke përfshirë qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.
E shtuna, 24 tetor, pritet të jetë një tjetër provë e forcës së mobilizimit qytetar, ndërsa studentët vijojnë të mbajnë të pandryshuar kërkesën e tyre kryesore: largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.