Skip to content
Aktualitet

Zbardhet sërish Korça nga reshje të dendura dëbore, vështirësi qarkullimi në këto akse

· 2 min lexim

Janë rikthyer edhe njëherë reshjet e dëborës, kryesisht në qytetin e Korçës. Reshjet më të dendura ranë gjatë natës, ndërsa vijohet ende edhe gjatë mëngjesit të sotëm me alternime. 

Trashësia e borës varion nga 5cm deri në 15 cm. Në qytetin e Korçës ka rreth 5 cm bore. Kontraktorët janë në akset rrugore duke punuar për mirëmbajtje dimërore me borëpastruese dhe grupe pune.

Në rrugën e Dardhës nga km 8 – km 14 rekomandohen kalimi i mjeteve me zinxhirë ose goma dimërore. Vështirësi paraqet edhe segmenti rrugor i Bigllës në rrugën e Doganës Goricë.

Nuk ka probleme në rrugët e tjera nacionale dhe rurale të qarkut. Kërkohet kujdes nga drejtuesit e mjeteve në kushtet e lagështisë së madhe në rrugë.

Nga informacioni i dhënë nga drejtuesit e OSHE rezulton se nga reshjet e borës dhe lagështira janë krijuar disa probleme me energjinë elektrike në fidrat që mbulojnë zonën e Vithkuqit bashkia Korcë, Petrushes dhe Zvezdes bashkia Maliq së bashku me fshatrat rreth tyre. 

Grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për eliminimin e defekteve.

Kujtojmë se reshje të dendura pati edhe në fillim të muajit mars, ku rrugët kryesore të qytetit u mbuluan të gjitha nga bora. Në disa fshatra pati probleme me energjinë elektrike, ndërsa në akset kryesore pati dhe aksidente të lehta nga rrëshkitja e automjeteve.