Vrau bashkëshorten me çifte për xhelozi, Gjykata lë në burg 64-vjeçarin! Nuk flet në seancë, avokati kërkon ekspertim psikik

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 64-vjeçarin Shtjefën Ziçi, i akuzuar për vrasjen me armë gjahu të bashkëshortes së tij, 55-vjeçares Bardhe Ziçi. Gjatë seancës, i pandehuri nuk ka thënë asnjë fjalë para trupit gjykues, ndërsa avokati mbrojtës, Agim Martini, ka kërkuar që klienti i tij t’i nënshtrohet ekspertimit psikik.
Krimi i rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut në unazën lindore të Shkodrës. Sipas hetimeve, pas një debati në dyqanin ushqimor që çifti administronte pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi dy herë ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë.
Hetimet paraprake tregojnë se motivi i krimit dyshohet të ketë qenë xhelozia. 64-vjeçari i kishte kërkuar gruas telefonin celular, gjë që solli një konflikt mes tyre. Më pas ai u fut në banesë, mori çiften që e posedonte me leje dhe hapi zjarr. 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Çifti ishte prind i dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës.