Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, e ndodhur mbrëmjen e së martës në Memaliaj, Tepelenë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit Donaldo dhe Marjaldo Nela si të dyshuar për ngjarjen.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dhe autorët dyshohet se i përkisnin dy grupeve rivale, të cilat janë përplasur me armë zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur edhe Dali Nela, vëllai i dy të dyshuarve.
Burimet tregojnë se konfliktet mes grupeve kanë qenë të hershme dhe lidhen me veprimtari të paligjshme, kryesisht në fushën e narkotikëve.
Njëri prej të dyshuarve, Donaldo Nela, rezulton person me precedent penal. Ai ka qenë i përfshirë në trafik droge si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i goditur nga Policia e Sarandës në vitin 2018. Po ashtu, ai është hetuar edhe për një grabitje në një pikë këmbimi valutor në Tepelenë.
Donaldo Nela njihet edhe me pseudonimin “Tupja” dhe rezulton të ketë qenë kontakti i fundit i Erald Muços, shok i Aleksandër Sadikajt. Ndërkohë, i plagosuri Dali Nela raportohet të jetë dhëndër në fisin Kalemi.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar disa persona dhe vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.








