Skip to content
Kryesore

Vrasja e Santiago Malkos/ Apeli rikthen në burg Erlis Dukën, e dënon me 28 vite

· 3 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rikthyer në burg Erlis Dukën, vëllanë e Leonard Dukës, i konsideruar si kreu i “klanit Duka”, duke e dënuar me 28 vite burg për çështjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko.

Erlis Duka ishte shpallur i pafajshëm në janar të këtij viti nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila kishte vendosur edhe heqjen e masës së arrestit ndaj tij. SPAK e kundërshtoi vendimin, duke ankimuar pafajësinë e tij.

Ndërkohë, Apeli la në fuqi dënimin me 30 vite burg për Leonard Dukën. Prokuroria e Posaçme i konsideron dy vëllezërit si organizatorët e vrasjes së ish-policit.

Më herët, GJKKO dënoi me 130 vite burg në total pesë të akuzuar për këtë ngjarje. Krahas Leonard Dukës, gjykata dënoi me nga 25 vite burg Fatmir Hysenin, Aleksandër Maxhakun, Dritan Agajn dhe Oltjon Logën.

Sipas SPAK, ata janë pjesë e grupit kriminal që rivalizonte me grupin e Ervis Martinajt, i zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Si nisi konflikti dhe çfarë zbuloi SPAK?

Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019, në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ish-polici njihej si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ervis Martinajt.

Sipas hetimeve të SPAK, vrasja erdhi pas përshkallëzimit të konfliktit mes vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt, të cilët më herët kishin pasur marrëdhënie shoqërore dhe biznesi në sektorin e lojërave të fatit.

Një nga motivet e hetuara nga prokuroria ishte edhe pengmarrja dhe dhunimi i dyshuar i babait të vëllezërve Duka nga Santiago Malko. Hetuesit nuk përjashtuan as pistën se ish-polici u vra për shkak të pamundësisë së grupit kundërshtar për të eliminuar Ervis Martinajn.

Leonard Duka, pas arrestimit në Belgjikë, u ekstradua në Shqipëri në gusht të vitit 2024. Gjatë procesit gjyqësor, ai mohoi përfshirjen në vrasjen e Malkos, ndërsa SPAK mbështeti akuzat edhe në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni i koduar SKY ECC.

Edhe babai i vëllezërve Duka, gjatë dëshmisë së tij në GJKKO, mohoi të kishte pasur konflikte me Santiago Malkon, duke kundërshtuar pistën e hetuar nga prokuroria.

Për të njëjtën ngjarje është dënuar edhe Ilir Selmani, i njohur me nofkën “Boksieri”. Më 17 korrik 2026, Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin e tij me 28 vite burg, pas rigjykimit të çështjes me vendim të Gjykatës së Lartë.

Tashmë, më shumë se shtatë vite pas vrasjes së Santiago Malkos, Apeli ka ndryshuar edhe vendimin e pafajësisë për Erlis Dukën, duke i dënuar dy vëllezërit me gjithsej 58 vite burg.