Veliaj vijon emërimet nga burgu, zgjedh pasuesen e Zhaneta Beqirit për çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit

Nga paraburgimi në Fier, Erion Veliaj vijon të marrë vendime për administratën e Bashkisë së Tiranës. Vetëm dy ditë pasi shkarkoi Zhaneta Beqirin, e cila drejtonte prej 11 vitesh çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, Veliaj ka përzgjedhur edhe pasuesen e saj.
Arjola Byzyka pritet të marrë drejtimin e institucionit. Ajo vjen nga sektori i arsimit publik, ku ka mbajtur më herët poste drejtuese, përfshirë atë të drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës.
Por ndryshimi në krye të institucionit vjen në mes të përplasjeve brenda Partisë Socialiste dhe pas një shkarkimi, arsyet zyrtare të të cilit i ka kundërshtuar publikisht vetë ish-drejtoresha.
Kujtojmë se Zhaneta Beqiri u shkarkua pasi mori pjesë në takimin me Ervin Demon dhe Albana Koçiun, dy drejtuesit e rinj politikë të PS-së për Tiranën, të përzgjedhur pas riorganizimit të strukturave të partisë nga Edi Rama.
Veliaj përdori si argument për shkarkimin gjetjet e një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por vetë Beqiri deklaroi se auditimi ishte vetëm një pretekst dhe se largimi i saj kishte arsye të tjera.
“Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera…”, deklaroi Beqiri pas shkarkimit.
Raporti i KLSH-së ishte dorëzuar në Bashkinë e Tiranës që më 14 tetor, ndërsa Veliaj firmosi urdhrin e shkarkimit më 20 nëntor, pas pjesëmarrjes së Beqirit në takimin me drejtuesit që e zëvendësuan atë në krye të strukturave politike të PS-së në Tiranë.
KLSH kishte konstatuar shkelje dhe rekomanduar vlerësimin e përgjegjësisë së drejtoreshës për nisjen ose jo të procedurave disiplinore, por jo shkarkimin e saj.
Vendimi shkaktoi përplasje edhe mes socialistëve. Deputeti Erion Braçe doli publikisht kundër Veliajt, duke e cilësuar shkarkimin të padrejtë dhe duke kërkuar anulimin e tij.
“Erion, këtë herë e ke gabim!”, iu drejtua Braçe kryebashkiakut.
Megjithatë, Veliaj nuk u tërhoq. Përkundrazi, ka përzgjedhur tashmë zëvendësuesen e Beqirit.
Ndërsa Rama i ka hequr drejtimin politik të Tiranës, Veliaj, edhe pse prej muajsh në paraburgim dhe përballet me drejtësinë, vazhdon të firmosë shkarkime dhe të përzgjedhë drejtues të institucioneve të kryeqytetit nga qelia.
Rasti i Beqirit ngre pikëpyetje mbi ndikimin e përplasjeve politike në administratën bashkiake dhe kriteret mbi të cilat shkarkohen e përzgjidhen drejtuesit e institucioneve publike.