Vrasja e Martin Canit, Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn, i shpallur fajtor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjen e shokut të tij, Luis Meçe.
Apeli konfirmoi këtë të mërkurë vendimin e dhënë më 9 dhjetor 2025 nga Gjykata e Tiranës, duke rrëzuar pretendimet e mbrojtjes së Përlleshajt për ndryshimin e kualifikimit juridik të veprës penale.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, pas përfundimit të mësimit, në një rrugicë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Martin Cani dhe Mario Përlleshaj, të dy 14 vjeç në atë kohë, kishin pasur një konflikt disa ditë më parë, i cili vijoi edhe gjatë pushimit të gjatë në oborrin e shkollës.
Pas përfundimit të mësimit, konflikti mes të miturve u zhvendos jashtë ambienteve të shkollës dhe degradoi në përleshje fizike. Gjatë konfliktit, Martin Cani u godit me thikë, ndërsa shoku i tij Luis Meçe mori disa plagë, por arriti të mbijetonte.
Pas goditjes, Martini arriti të ecte disa metra në drejtim të shkollës, por u rrëzua në trotuar për shkak të humbjes së gjakut. Ai u transportua në spital, ku humbi jetën si pasojë e plagës së marrë.
Mario Përlleshaj mbeti gjithashtu i dëmtuar në dorë dhe mori trajtim mjekësor përpara se të shoqërohej nga autoritetet. Prokuroria e akuzoi për “vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, për shkak të vrasjes së Martin Canit dhe plagosjes së Luis Meçes.
Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg për Përlleshajn. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi përfundimisht dënimin e tij me 16 vite burg, vendim që tashmë është konfirmuar edhe nga Apeli.
Vrasja e Martin Canit tronditi opinionin publik dhe riktheu debatin për sigurinë në shkolla, menaxhimin e konflikteve mes të miturve dhe përgjegjësinë e institucioneve arsimore për parandalimin e ngjarjeve të tilla.