Skip to content
Kryesore

“Vlora Hyseni nën arrest, Balluku nën akuzë, dosje për lidhjet e krimit me pushtetin”/ Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Çfarë tjetër duhet të ndodhë në Shqipëri?

· 2 min lexim

Ish-kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço, ka reaguar për zhvillimet e fundit në vend, duke renditur një sërë çështjesh që kanë përfshirë nivelet e larta të pushtetit dhe duke ngritur pyetjen: “Çfarë tjetër duhet të ndodhë në Shqipëri?”.

Në reagimin e tij, Jaço përmend ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, të vendosur nën arrest, zëvendëskryeministren Belinda Balluku të akuzuar për korrupsion, dosjet që sipas tij po hetohen për lidhje të krimit me drejtues të lartë në pushtet, si dhe qytetarët që ndodhen në rrugë prej katër muajsh.

“Çfarë tjetër duhet të ndodhë në Shqipëri?

Kreu i shërbimit sekret shkarkohet dhe vihet nën arrest, për lidhje me krimin e organizuar. Zv. Kryeministrja e akuzuar për korrupsion. Dosje të tëra në hetim për lidhje të krimit me drejtues të lartë në pushtet. Qytetarët në rrugë prej 4 muajsh”, shkruan Jaço.

Por shqetësimi që ai ngre shkon përtej vetë rasteve. Jaço ndalet te ritmi me të cilin një skandal po zëvendëson tjetrin dhe te rreziku që zhvillime të tilla të fillojnë të perceptohen si diçka e zakonshme.

“Dikur, secila prej këtyre do të mjaftonte për ta tronditur një vend. Sot, njëra mbulon tjetrën. Ende pa e kuptuar ç’ndodhi dje, hapim telefonin dhe lexojmë skandalin e radhës.

Nuk është e qartë nëse gjërat po dalin më në fund në dritë, apo po shohim sa thellë kanë shkuar. Ndoshta të dyja”, vijon ai.

Sipas Jaços, edhe më shqetësues është normalizimi i kësaj situate dhe mënyra se si vëmendja publike kalon me shpejtësi nga një dosje te tjetra.

“Por ka diçka, më të heshtur, por më të rrezikshme: sa shpejt po mësohemi. Habitemi për disa orë. Diskutojmë për disa ditë. Pastaj presim emrin tjetër, dosjen tjetër, protestën tjetër.

Pyetja nuk është më çfarë do të dalë nesër. Po çfarë duhet të ndodhë, që një lajm i tillë të mos na duket më si një ditë e zakonshme?”, përfundon Jaço.