Skip to content
Uncategorized

Videot intime ishin online prej 2024-s, por shpërthejnë tani: në kulmin e skandalit Agasi–Vlora, vëmendja ikën nga qeveria te krevati

· 2 min lexim

Videot intime që kanë pushtuar rrjetet shqiptare nuk janë materiale të dala tani. Një prej tyre shfaqet në një site pornografik, me datën e publikimit 9 dhjetor 2024, ndërsa pamjet mbajnë timestamp-in 11 nëntor 2024, ora 03:55:36. Një tjetër figuron e publikuar më 30 gusht 2025, me regjistrim të datuar 24 gusht 2025, ora 14:36:58.

Pra, ato kanë qenë online prej muajsh, madje njëra prej vitit 2024. Ajo që ndodhi tani është tjetër: u nxorën nga errësira e internetit dhe u kthyen papritur në temën që pushtoi Shqipërinë.

Dhe momenti nuk mund të kalojë pa u vënë në dukje.

Videot shpërthejnë pikërisht kur vendi po përballet me skandalin Ergys Agasi–Vlora Hyseni, një çështje që prek ish-drejtuesen e SHISH, është nën hetimin e SPAK dhe ka hapur një debat të rëndë politik për institucionet dhe qeverinë. Më 24 shtator, GJKKO verifikoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” në procedimin që lidhet me Agasin.

Vetëm pak ditë më pas, hapësira publike mbushet me video intime të vjetra. Më 30 shtator, Policia e Tiranës njoftoi se kishte nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen e tyre.

Kjo është çështja: videot ishin aty. Pse u bënë “skandal kombëtar” pikërisht tani?

Sepse interesi publik sot nuk është krevati i disa personazheve të njohur. Interesi publik është çfarë po ndodh me Ergys Agasin, Vlora Hysenin, institucionet shtetërore dhe qeverinë.

Kur materiale intime të vjetra pushtojnë rrjetin pikërisht në momentin kur një skandal shumë më i rëndë politik kërkon llogari, pyetja duhet të jetë se kush e zhvendosi vëmendjen dhe kujt i shërben kjo zhvendosje.

Publiku mund të joshet me krevatin. Por vëmendja që ka interes real publik duhet të mbetet te qeveria dhe te skandali që po trondit institucionet.