114 vjet Pavarësi, për herë të parë në histori, Shqipëria në revoltë kombëtare kundër atyre që e qeverisin

Në historinë moderne të Shqipërisë, 28 Nëntori ka njohur protesta të izoluara, por jo një revoltë popullore të përmasave të kësaj të shtune, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë. Pas 114 vitesh Pavarësi, festa më e rëndësishme e shqiptarëve u kthye në një tjetër ditë përballjeje mes qytetarëve dhe pushtetit.
Paradoksi më i madh i ditës ishte pikërisht Vlora. Atje ku nisi rezistenca qytetare për mbrojtjen e Zvërnecit, atje ku u shpall Pavarësia, Edi Rama shkoi sot për të kremtuar festën kombëtare. Me rreth 500 policë dhe një kordon sigurie prej 1.5 kilometrash, Rama u përball me kundërshtimin e qytetarëve edhe në qytetin e Pavarësisë.
Ndërsa Rama ndodhej në Vlorë, Belinda Balluku festonte në Fier. Për nga pesha e pushtetit që ka ushtruar dhe përgjegjësia politike që mbart, Balluku zë një vend qendror, menjëherë pas kryeministrit, në kritikën ndaj qeverisjes së këtyre viteve. Megjithatë, ajo vijoi aktivitetet festive dhe deklaratat për integrimin europian, ndërkohë që në vend zhvillohej një revoltë kundër qeverisë ku ka ushtruar pushtet për vite me radhë.
Në Tiranë, ndërkohë, qytetarët përballeshin me plumba gome, ujë me presion, gaz lotsjellës dhe dhunë fizike. Goditjet në fytyrë, në trup dhe në kokë ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin e ndërhyrjes policore dhe përdorimin e institucioneve shtetërore përballë kundërshtimit politik.
Nga patronazhistët, propagandistët dhe servilët e pushtetit nuk kishte ndonjë surprizë. Por shqetësimi shkon përtej tyre, deri te qëndrimi i mediave që më parë kanë qenë kritike ndaj qeverisë dhe që sot, u tërhoqën pikërisht kur raportimi i pavarur ishte më i nevojshëm.
Por zhgënjimi më i madh mbetet SPAK-u. Institucioni tek i cili shqiptarët varën shpresat për vite me radhë, duke pritur fundin e pandëshkueshmërisë së pushtetarëve, e sidomos gjatë këtyre muajve revoltë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Belinda Ballukun, megjithëse çështjet e saj janë ndër më të rëndësishmet për shkak të pozitës që ka mbajtur. Bëhet fjalë edhe për zyrtarë të tjerë të lartë, dosje të papërfunduara, hetime të zgjatura dhe akuza për abuzime me pasurinë publike që ende presin përgjigje nga drejtësia.
Drejtësia e SPAK-ut nuk mund të matet vetëm me numrin e dosjeve që hap, por edhe me aftësinë për t’i çuar ato deri në fund, për të identifikuar të gjithë përgjegjësit dhe për të rikuperuar pasurinë publike të përfituar në mënyrë të paligjshme, aty ku kjo provohet.
Pas 13 vitesh qeverisjeje, Shqipëria gjendet përballë një krize që nuk kufizohet më te qeveria. Ajo prek policinë, median, drejtësinë dhe besimin te vetë shteti.
Pikërisht ndërthurja e këtyre problemeve ushqen shqetësimin se Shqipëria po rikthehet drejt një prej periudhave më të errëta të historisë së saj që prej shpalljes së Pavarësisë.
Sot shqiptarët nuk dolën në rrugë për të kundërshtuar festën e Pavarësisë. Dolën për t’u kërkuar llogari atyre që qeverisin shtetin e pavarur shqiptar.