Skip to content
Të Gjitha

Vetting-u në Polici/ Drekoi me të kërkuarin e drejtësisë por… konfirmohet në detyrë kreu i SHÇBA-së, Rrumbullaku  

· 2 min lexim

I njohur për karrierën e gjatë në radhët e uniformave blu, madje edhe për detyrat e rëndësishme, kreu i SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku, është rikonfirmuar në detyrë pasi kaloi vetting-un e Policisë së Shtetit.

Mësohet se Rrumbullaku ka rezultuar i pastër në të tre shtyllat e vlerësimit.

Vendimi është marrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, dy ditë pasi u zhvillua seanca dëgjimore ndaj tij.

Gjatë seancës dëgjimore, u diskutua edhe për foton ku Rrumbullaku shihet duke drekuar dhe duke festuar me çifteli krah biznesmenit pukian Arben Frroku, të dënuar dhe akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2014.

Kjo foto, sipas KJV-së, nuk e komprometon Rrumbullakun, pasi është shkrepur tre vite para krimit, në një kohë që Frroku vetëm dyshohet si i implikuar në këtë ngjarje.

Rrumbullaku mban gradën “Drejtues i Parë”, dhe ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit dhe për shumë vite ka qenë Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike (2009-2013), ndërsa më parë ka qenë Drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera.

Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj.

/GazetaReforma.com/