Skip to content
Kryesore

Vatikani përgatitet për konklavën papale pas vdekjes së Papa Françeskut

· 1 min lexim

Vatikan ka mbyllur Kapelën Sistine, në prag të mbledhjes së kardinalëve që do të zgjedhin Papën e ri, pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, në moshën 88-vjeçare.

Pas funeralit madhështor të mbajtur të shtunën në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë liderë botërorë dhe qindra mijëra besimtarë, Kisha Katolike ka shpallur një periudhë nëntëditore zie përpara hapjes së konklavës.

Konklava pritet të fillojë ndërmjet datave 5 dhe 10 maj, në përputhje me traditat dhe rregullat kishtare.

Ndërkohë, vizitorët që arritën të hynin të dielën në Kapelën Sistine e konsideruan veten me fat, pasi nuk dihet se sa do të zgjasë procesi i zgjedhjes së Papës së ri dhe sa kohë Kapela do të mbetet e mbyllur për publikun.

“Jemi shumë me fat që mundëm të vizitonim Kapelën Sistine sot. Udhëtimi ynë në Vatikan nuk do të kishte qenë i plotë pa parë këtë vend të mrekullueshëm,” tha Sumon Khan, një turist nga Shtetet e Bashkuara.