Vapa nuk ikën me gushtin! Shtatori po bëhet muaji më i nxehtë në histori

Vapa ekstreme nuk u mbyll me fundin e verës. Pas një gushti që shënoi temperatura rekord në nivel global, edhe shtatori po vijon me temperatura jashtëzakonisht të larta, duke rritur shqetësimin se rekordet e të nxehtit mund të vazhdojnë edhe gjatë vjeshtës.
Gushti i vitit 2026 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, me temperaturat globale që arritën 1.65°C mbi nivelet para-industriale, sipas shkencëtarëve dhe të dhënave të shërbimit europian Copernicus. Edhe temperaturat e sipërfaqes së deteve arritën nivele rekord për muajin gusht.
Hyrja në vjeshtë nuk duket se ka sjellë ende një kthesë. Temperaturat e larta po vijojnë edhe në shtator, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej për shkak të El Niño-s, fenomeni natyror që shkakton ngrohjen e ujërave të Oqeanit Paqësor dhe ndikon në klimën globale.
El Niño i këtij viti pritet të arrijë fuqinë maksimale në fund të vitit dhe mund të jetë ndër më intensivët e regjistruar ndonjëherë. Ekspertët theksojnë megjithatë se shkaku kryesor i temperaturave rekord mbetet djegia e vazhdueshme e lëndëve fosile.
“Ndryshimi i klimës e bën çdo El Niño më të nxehtë. Derisa të ndalojmë djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, muajt që thyejnë rekorde do të vazhdojnë”, deklaroi Friederike Otto, profesore e shkencës së klimës në Imperial College London.
Pasojat e temperaturave ekstreme të gushtit janë ndier në mbarë botën. Zjarret shkatërruese, dëmtimi i të korrave, vdekjet e shkaktuara nga valët e të nxehtit dhe ndërprerjet në transport, shërbimet publike dhe ekonomi janë ndër efektet e evidentuara.
Temperaturat ekstreme mund të sjellin pasoja edhe në tregjet ushqimore. Ekspertët paralajmërojnë për rritje të mëtejshme të çmimeve të ushqimeve, pasi temperaturat e larta dhe kushtet ekstreme po ndikojnë në prodhimin bujqësor.
Me El Niño që pritet të fuqizohet drejt fundit të vitit, temperaturat rekord të gushtit mund të mos jenë fundi i këtij cikli të nxehtësisë ekstreme, ndërsa shtatori po vijon nën temperatura të pazakonta për fillimin e vjeshtës.