Skip to content
Të Gjitha

Vakancat në Gjykatën Kushtetuese, Meta thirrje Kuvendit për zgjedhjen e anëtarit të dytë

· 2 min lexim

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i shtetit i ka bërë thirrje Kuvendit që të marrë përgjegjësitë dhe të zgjedhë anëtarin e dytë.

Meta ka kujtuar edhe njëherë, se krijimi i Gjykatës Kushtetuese, është nga nëntë kushtet e Bundestagut, për hapjen e negociatave.

Presidenti ka deklaruar se do të thotë emrin e tretë brenda 24 orëve, sapo Kuvendi të bëjë zgjedhjen e tij.

“Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij”, thuhet në reagimin e presidencës.

Reagimi: 

Të nderuar deputetë,

Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!

Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !

Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!

Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.

Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!

Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!

Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!