Shqipëri-San Marino sot në “Air Albania”, ja rrugët që do të bllokohen nga ora 17:00

Shqipëria përballet sot me San Marinon në stadiumin “Air Albania”, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar një plan të posaçëm masash që do të sjellë kufizime të qarkullimit në disa prej akseve kryesore pranë stadiumit.
Ndeshja do të nisë në orën 20:45, ndërsa bllokimi i rrugëve do të fillojë që prej orës 17:00 dhe do të vijojë deri në përfundimin e takimit.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, ka përcaktuar akset ku do të ndalohet ose devijohet qarkullimi, me qëllim garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e fluksit të tifozëve.
Rrugët që do të bllokohen nga ora 17:00:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si koridor hyrjeje drejt parkimit të caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
- Në sheshin “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të qëndrojnë të lira për qarkullimin e automjeteve.
Kontrolle të shtuara do të ketë edhe në hyrjet e stadiumit. Policia njofton se tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit për të parandaluar futjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve apo produkteve kozmetike dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë pjesëmarrësit.
Për shkak të fluksit të pritshëm, tifozëve u kërkohet të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30. Policia paralajmëron se ata që mbërrijnë pak para nisjes së takimit mund të mos arrijnë të hyjnë në kohë.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-San Marino janë angazhuar qindra punonjës të Policisë së Shtetit.