Skip to content
Kryesore

“Ushtarët” e Belindës dhe patronazhistët e Ramës/ Vërtet u habit njeri? Ministrat ikin, “mbretëresha” mbetet dhe shteti vazhdon si pronë partie

· 5 min lexim

Po vërtet u habit njeri?

U habit njeri në Shqipëri kur dëgjoi një drejtor shteti të thoshte për Belinda Ballukun: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja”?

U habit njeri kur një tjetër shpjegoi hierarkinë e administratës shqiptare me një fjali që duket sikur është nxjerrë nga manuali i pushtetit të këtyre viteve: “Ushtarët zëvendësohen kollaj, po mbretëresha nuk zëvendësohet dot”?

Apo kur Rrapush Tola pretendoi para kamerës së fshehtë se “Bela e ka emëruar vetë” Enea Karakaçin dhe sugjeroi se një “sinjal” i saj mund të vlente për një vend pune? Këto janë deklarata të regjistruara nga investigimi i “Fiks Fare”, jo përfundime të një hetimi institucional. Por pikërisht ajo që thonë këta drejtues është tronditëse.

Ne nuk besojmë se u habit njeri.

Sepse shqiptarëve nuk ua zbuloi “Fiks Fare” servilizmin. Ua filmoi.

Nuk ua zbuloi patronazhimin. Ua futi kamerën brenda zyrës.

Nuk ua zbuloi sistemin e “shefit”, mikut, telefonit, rekomandimit dhe emrit që vjen nga lart. Thjesht na dha mundësinë ta dëgjonim nga goja e njerëzve që mbajnë poste shtetërore.

Skandal kur një drejtues institucioni shtetëror nuk e përshkruan veten si nëpunës të Republikës, por flet për “ushtarë”. Nuk flet për procedurë, konkurs, meritë apo institucion. Flet për “shefen”. Dhe kur gazetarja paraqitet si mikesha e “shefes”, papritur dyert duken më të lehta për t’u hapur.

Ja ku është patronazhimi.

Ai nuk është vetëm një listë me emra që del para zgjedhjeve. Është një mënyrë pushteti. Është bindja se duhet të dish kush është “i kujt”. Se një njeri ka një shef politik, shefi ka njerëzit e vet dhe këta njerëz kanë njerëzit e tyre. Dhe kështu, nga maja deri te zyra më e vogël, shteti rrezikon të mos funksionojë më si administratë, por si zinxhir besnikërish.

Në këtë sistem, CV-ja mund të presë. Konkursi mund të presë. Institucioni mund të presë.

Rëndësi ka kush të njeh.

Kush të çon.

Kush i telefonon kujt.

Kush i thotë një fjalë “shefes”.

Prandaj është pothuajse naive të bëjmë sikur habitemi sot që Belinda Balluku paska pasur kontroll mbi njerëzit e saj.  Por tani na kërkohet të sillemi sikur secili ka ardhur nga një planet tjetër.

Dhe sikur Edi Rama nuk dinte gjë.

Këtu bëhet edhe më e vështirë të gëlltitet teatri politik.

Sepse Belinda Balluku nuk drejtoi një kioskë në periferi të qeverisë. Ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të ekzekutivit të Ramës. Drejtoi për vite sektorë ku kalojnë disa nga projektet dhe investimet më të rëndësishme publike të vendit.

Prandaj Rama mund të bëjë lojëra fjalësh, të hedhë “dardha”, kunja e batuta sa herë që situata politike bëhet e sikletshme. Por metaforat nuk i përgjigjen pyetjes.

Kush e ndërtoi këtë sistem?

Kush i la ministrat të krijonin ushtritë e tyre?

Kush i emëroi, promovoi dhe mbajti për vite njerëzit që sot dalin duke folur si ushtarë të një “mbretëreshe”?

Dhe mbi të gjitha: kush e ka drejtuar qeverinë gjatë gjithë kësaj kohe?

Edi Rama.

Prandaj është shumë komode që sot historia të reduktohet te Belinda Balluku, sikur ajo të ishte një aksident i ardhur nga jashtë sistemit. Sikur një mëngjes kryeministri të jetë zgjuar dhe të ketë zbuluar se poshtë tij qenka krijuar një rrjet njerëzish që njohin shefen, presin sinjalin e shefes dhe dinë se cilit njeri duhet t’i hapet dera.

Jo.

Nëse dëshmitë e “Fiks Fare” pasqyrojnë mënyrën reale si janë marrë vendimet, atëherë nuk po flasim për një aksident. Po flasim për produktin e një mënyre qeverisjeje.

Dhe shqiptarët e njohin shumë mirë këtë mënyrë.

E njohin nga patronazhisti që di familjen, numrin e telefonit dhe votën. E njohin nga vendi i punës që shihet si favor. Nga drejtori që nuk pyet çfarë di të bësh, por kush të ka dërguar. Nga administrata që në vend të shtyllës kurrizore ka hierarkinë politike. Nga njerëzit që ndërrojnë shefat, por jo besnikërinë.

Kjo është arsyeja pse “ushtarët” e Belindës nuk shkaktuan habinë që normalisht duhet të shkaktonte një histori e tillë.

Sepse ne i kemi parë “ushtarët” prej vitesh. Vetëm uniformat ndryshojnë.

Pushteti ka normalizuar idenë se shteti ka pronar.

Se ministria ka pronar.

Se drejtori ka padron.

Se administrata ka parti.

Se për të hyrë në një zyrë nuk mjafton të jesh qytetar; është mirë të jesh edhe “i dikujt”.

Pastaj habitemi pse të rinjtë ikin. Pse profesionisti lodhet. Pse qytetari nuk beson te konkursi. Pse njerëzit qeshin kur dëgjojnë fjalën “meritokraci”.

Sepse përballë meritokracisë që shkruhet në letra, shqiptarët dëgjojnë drejtorin që thotë: “Nëse je mikesha e shefes, je dhe e imja.”

Mund të luhet me dardha, mollë e çfarëdo metafore tjetër politike, por Shqipëria nuk është pemëtore dhe shqiptarët nuk janë aq naivë sa të harrojnë kush e ka drejtuar këtë vend gjatë gjithë viteve kur ky sistem është konsoliduar.

Ky vend është goditur mjaftueshëm gjatë historisë së tij nga pushtues, diktatura, kriza dhe varfëri. Nuk ka nevojë për krahasime historike të sforcuara për të kuptuar dëmin që i bëhet nga brenda kur pushteti publik trajtohet si pronë private, kur administrata kthehet në ushtri politike dhe kur paratë, vendet e punës dhe institucionet shihen si instrumente të atyre që qeverisin.

Pushtuesi të merr vendin nga jashtë.

Një pushtet i korruptuar mund ta hajë nga brenda.

Pak nga pak. Tender pas tenderi. Emërim pas emërimi. Patronazhist pas patronazhisti. Derisa qytetarit t’i duket normale që drejtori i shtetit të quajë veten “ushtar”.

Kjo është ajo që duhet të na trembë më shumë se Belinda Balluku.

Jo fakti se një “mbretëreshë” mund të ketë mbetur pa kurorë, por se oborri vazhdon të sillet sikur ajo e mban ende…