Një zjarr ka rënë në një apartament në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pasoja për një prej tyre.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, në rrugën “Prokop Mina”, ku sipas informacionit paraprak flakët kanë shpërthyer aksidentalisht në një apartament të marrë me qira nga shtetaset K. Sh dhe S. Gj., i vendosur në katin e 6-të të një pallati. Zjarri dyshohet se ka nisur në një nga dhomat e banesës.
Si pasojë e përhapjes së tymit, është asfiksuar shtetasi A. K, i cili banonte një kat më sipër. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e zjarrit. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.








