Tragjedi gjatë zhytjes në Radhimë, humb jetën turistja 30-vjeçare nga Finlanda

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në Radhimë, ku një turiste rreth 30 vjeçe nga Finlanda ka humbur jetën pasi pësoi probleme të rënda shëndetësore gjatë një zhytjeje.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte pjesë e një grupi zhytësish në zonën ku ndodhet anija e mbytur “Spitaliers”. Gjatë zhytjes, dyshohet se ajo ka pësuar mungesë oksigjeni ose një problem tjetër shëndetësor.
Turistja është ndier keq dhe është ndihmuar menjëherë nga zhytësit e tjerë, të cilët e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe më pas e kanë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Burime nga spitali bëjnë me dije se 30-vjeçarja mbërriti në gjendje shumë të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit në kujdes intensiv, ajo nuk arriti të mbijetojë.
Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga hetimet, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar shkaku i saktë që çoi në humbjen e jetës së turistes.