Skip to content
Kryesore

Tiranë: Mbyllën klienten në dyqan dhe e dhunuan fizikisht, pronarët godasin edhe policinë gjatë ndërhyrjes

· 1 min lexim

Dy persona, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se kanë kanosur, kanë privuar nga liria dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një klienteje.

Sipas Policisë së Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 vunë në pranga shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë një konflikti për motive të dobëta me klienten, brenda ambienteve të subjektit tregtar.

Policia bën me dije se dy të arrestuarit dyshohet se e kanë kanosur klienten dhe e kanë mbajtur kundër vullnetit të saj në dyqan, duke i hequr lirinë. Ata dyshohet gjithashtu se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, S. A. dhe E. H. kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë. Shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.