Skip to content
Kronikë

Thellohet misteri i vdekjes së rusëve, ja çfarë ndodhi me eksperimentin

· 2 min lexim

Mbrëmjen e 15 tetorit të këtij viti, një ngjarje tragjike ndodhi në një hotel në Kavajë, ku 4 turistë rusë vdiqën në rrethana plotësisht misterioze.

Një familje ruse, prindërit me vajzën dhe dhëndrin u gjetën të vdekur, brenda një saune në hotel “Gloria” në Qerret të Kavajës. Trupat e pajetë u gjetën nga recepsionistja e hotelit, e cila dëshmoi se i ka thirrur disa herë por nuk i janë përgjigjur.   Nataliia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe ishin viktimat e ngjarjes.

Vdekja e 4 turistëve rusë në një hotel të Kavajës, në muajin tetor të këtij viti, vijon të mbetet mister.

Instituti i Mjekësisë Ligjore konstatoi më herët se Sergei dhe Ekaterina Burenkova, vajza e tyre, Natalia dhe dhëndri Nikita Beluosov vdiqën për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit.

Për të kuptuar më tej mbi burimin e këtij helmimi, prokuroria e Kavajës ka urdhëruar më herët dy ekspertiza teknike, të cilat kanë nxjerrë se parametrat e pajisjeve të përdorura në pishinën e brendshme të hotel ‘Gloria’ kanë qenë në rregull.

Për të shmangur çdo dyshim të mundshëm, grupi hetimor urdhëroi kryerjen e një ekspertize të tretë, kësaj radhe me ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Këta të fundit shkuan të Premten në ambientet e hotelit, të veshur me uniformë speciale dhe kryen ekspertizën, për të kuptuar nëse monoksidi i karbonit që ka helmuar katër rusët ishte lëshuar si shkak i mosfunksionimit të pajisjeve ngrohëse të pishinës dimërore.

Burime nga Ministria e Mbrojtjes deklaruan për SYRI TV se edhe ky eksperiment hetimor ka konstatuar se pajisjet kanë funksionuar normalisht.

Sipas të njëjtave burime, akti i eksperimentit hetimor pritet t’i vihet në dispozicion Prokurorisë së Kavajës në fillim të kësaj jave, e cila do ta krahasojë me të dhënat e tjera të mbledhura gjatë hetimit.

Por, duket qartë që edhe rezultatet e eksperimentit hetimor nuk do të zgjidhin enigmën e vdekjes së menjëhershme të 4 turistëve rusë, mbrëmjen e 15 Tetorit 2021.