Skip to content
Kryesore

“The Albanian Files” vetëm maja e ajsbergut, nuk kemi parë asgjë akoma/ Gazetari holandez Oei që u arrestua në protestë: Duhet dosje për Ramën në SPAK!

· 3 min lexim

Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, autor i investigimit “The Albanian Files”, paralajmëron se zbulimet mbi lidhjet mes kryeministrit Edi Rama, studiove ndërkombëtare të arkitekturës, kompanive të ndërtimit dhe investitorëve privatë janë vetëm një pjesë e një historie shumë më të madhe, e cila, sipas tij, kërkon hetim të plotë nga SPAK.

Në një intervistë ekskluzive për SYRI TV, me gazetaren Armela Ferko, Oei deklaroi se dokumentimi i marrëdhënieve mes arkitektëve, investitorëve dhe institucioneve shtetërore mund të shërbejë si bazë për ndërtimin e një dosjeje që do të mundësonte thirrjen e kryeministrit Edi Rama në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas tij, hetimi mund të nisë nga arkitektët që kanë folur publikisht për lidhjet e kryeministrit me kompanitë arkitekturore dhe investitorët privatë, për të vijuar më pas me kompanitë që kanë realizuar ndërtime pallatesh dhe resortesh.

Oei përmendi edhe raste që, sipas tij, janë trajtuar më parë nga SPAK, përfshirë projektin e Sheshit Skënderbej dhe resortet në Palasë. Ai theksoi se tashmë nevojitet lidhja e të gjitha këtyre elementeve për të krijuar një dosje me prova të mjaftueshme.

“Tani duhet vetëm të lidhen të gjitha këto fije në një mënyrë që krijohet një dosje që mund të lejohet thirrja e Ramës”, deklaroi gazetari holandez.

I pyetur nëse ka ende informacione për t’u zbuluar, Oei u përgjigj prerë:

“Po absolutisht po, unë mendoj që ne nuk kemi parë asgjë akoma.”

Ai e cilësoi librin “The Albanian Files” vetëm si fillimin e dokumentimit të një sistemi shumë më të gjerë projektesh ndërtimi dhe vendimmarrjesh institucionale.

Sipas gazetarit, libri trajton rreth 50 deri në 100 projekte, ndërkohë që numri i projekteve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit është shumë më i madh. Ai ngriti gjithashtu pyetje për projektet që nuk përfshijnë studio arkitekturore me reputacion ndërkombëtar dhe për përmasat reale të zhvillimeve ndërtimore në kryeqytet.

Duke iu referuar një liste të përgatitur nga Citizens për projektet në Tiranë, Oei theksoi se përmasat e ndërtimeve shtrihen në qindra projekte dhe sipërfaqe të konsiderueshme.

“Sepse unë besoj se ky Albanian Files është vetëm maja e ajzbergut”, u shpreh ai, duke përsëritur se ende nuk është zbuluar e gjithë tabloja.

Në përfundim të intervistës, gazetarja e pyeti nëse “The Albanian Files” mund të konsiderohet një dosje kriminale dhe jo thjesht një investigim për korrupsion.

Përgjigjja e Oeit ishte e drejtpërdrejtë:

“Po patjetër, sepse korrupsioni është krim. Patjetër që është kriminale. Nga të gjitha anët. Edhe nga ana morale, domethënë, jo vetëm nga ana ligjore, nga ana morale.”

Deklaratat e gazetarit holandez rikthejnë në vëmendje nevojën për të hetuar mënyrën se si janë miratuar projektet e mëdha të ndërtimit, marrëdhëniet mes institucioneve dhe investitorëve, si dhe rolin e zyrtarëve publikë në këto vendimmarrje.

Mesazhi i Oeit është i qartë: “The Albanian Files” nuk e mbyll historinë. Sipas tij, ajo që është dokumentuar deri tani mund të jetë vetëm një pjesë e një sistemi shumë më të gjerë, fijet e të cilit duhet të hetohen dhe të lidhen nga SPAK.