Skip to content
Të Gjitha

Testet për koronavirus/ Një 13-vjeçar rezultoi pozitiv, në mesin e të testuarve deputetë dhe mjekë

· 2 min lexim

Numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin tonë shkoi në 42 ditën e djeshme, ndërsa është shënuar edhe një viktimë.

Që prej shfaqjes së koronavirusit një javë më parë, ISHP ka kryer 532 testime.

Në mesin e të testuarve janë mjekë dhe infermierë që i kanë shërbyer pacientëve, si dhe deputetë.

“Balkanweb” ka siguruar të dhëna nga ISHP për testimet e kryera.

Mësohet se rreth 30% e numrit të të testuarve i përkasin mjekëve dhe infermierëve.

Për disa prej tyre testi ka rezultuar pozitiv, kujtojmë këtu mjekun në Durrës që i shërbeu të moshuarës që ndërroi jetë nga koronavirusi dhe dy mjekët në Tiranë ditën e djeshme.

Në mesin e të testuarve është një deputete e qarkut Durrës dhe një i qarkut Shkodër, të cilët kanë dalë të dy negativ.

Rreth 20% e të prekurve janë në moshën 35 vjeç, ndërsa mësohet se një 13-vjeçar ka dalë pozitiv.

I parë në listë, i cili i është nënshtruar testit të koronavirusit është një 18-vjeçar, i cili rezultoi negativ.

Ndërkohë testet e para pozitive u shënuan më 8 mars, ku nga 4 të testuar, 3 dolën pozitiv.

Numri më i lartë i kryerjes së testeve rezulton më datë 11 mars, plot 143, ku 12 persona rezultuan pozitiv.

Më pas më 12 mars janë testuar 93 persona, 5 prej të cilëve rezultuan pozitiv.

Më 13 mars janë kryer 65 teste, nga të cilat 4 rezultuan pozitiv.

Më 14 mars janë bërë 51 teste, të cilat identifikuan 5 persona pozitiv dhe dita e djeshme ku u shënuan 4 raste pozitiv nga 27 teste.