Tentoi të kalonte drogë në pikën kufitare të Hanit të Hotit, përfundon në pranga belgu (Emri)

Policia vë në pranga një shtetas belg në pikën kufitare të Hanit të Hotit, pasi u kap duke tentuar të kalonte drogë në Shqipëri.
Mësohet se si arrestuari është Mario Blomme 40 vjeç.Sipas informacioneve zyrtare ky i fundit ishte duke lëvizur me një furgon dhe pas dyshimeve të ngritura nga policia,mjeti i tij u kalua në një kontroll të imtësishëm në skaner, ku dhe u gjet sasia e drogës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti dhe një aparat celular. Mësohet se materialet proceduriale do t’i referohen prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Policia Kufitare arreston në flagrancë një shtetas që u kap me lëndë narkotike në kufi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Hanin e Hotit, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të detajuar një automjet tip furgon me të cilin dyshohej se mund të transportohej lëndë narkotike.
Pas kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në automjetin tip furgon është gjetur një sasi e vogel lënde narkotike cannabis sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin M. B., 40 vjeç, banues në Belgjikë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, automjeti dhe një aparat celular.
Materialet do t’i referohen prokurorisë, për veprime të mëtejshme.