Teatri i Ramës me Veliajn/ Fajëson gjykatat për Tiranën “pa kokë”, sikur drejtësia e detyroi të qëndrojë kryetar, ndërsa vetë promovonte Anuela Ristanin në drejtimin e Bashkisë

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë që la Erion Veliajn në burg, Edi Rama ka zgjedhur të drejtojë gishtin nga drejtësia për situatën e krijuar në Bashkinë e Tiranës. Kryeministri flet për një kryeqytet që prej thuajse dy vitesh jeton “me kokë të prerë”, për një milion banorë që po paguajnë “haraç” dhe për një “eksperiment të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”.
Por narrativa e Ramës lë jashtë një pyetje thelbësore: kush e ka detyruar Erion Veliajn të vazhdojë të qëndrojë politikisht në krye të Bashkisë?
Askush.
Gjykata vendos nëse Veliaj duhet të qëndrojë ose jo në paraburgim. Ajo nuk është institucioni që vendos se si Partia Socialiste duhet ta menaxhojë politikisht Bashkinë e Tiranës dhe as nuk e ka ndërtuar formulën me të cilën kryeqyteti është administruar gjatë mungesës fizike të kryebashkiakut.
Megjithatë, Rama e ndërton reagimin sikur “koka” e Tiranës është prerë nga gjyqësori.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!”, shkruan Rama.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej shkurtit 2025 dhe masa ndaj tij është kaluar në disa shkallë të gjyqësorit. Më 15 shtator 2026, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për masën “arrest në burg”.
Rama mund ta kundërshtojë publikisht arsyetimin e kësaj mase, por kjo nuk e zgjidh kontradiktën politike: nëse, sipas tij, Tirana po paguan një kosto kaq të rëndë nga mungesa e kryetarit, përse kjo situatë është lënë të zgjasë?
Madje historia e këtyre muajve rrëzon edhe pretendimin se Bashkia ka funksionuar gjithë kohën si një institucion “me kokë të prerë”.
Menjëherë pas arrestimit të Veliajt, kompetencat iu deleguan nënkryetares Anuela Ristani. Rama shkoi vetë në Bashkinë e Tiranës dhe zhvilloi takim me stafin drejtues pikërisht për vijimësinë e punëve, duke promovuar e mbështetur kryetaren e re. Më pas, Rama dhe Ristani u shfaqën së bashku në ceremoninë e 105-vjetorit të Tiranës si kryeqytet.
Dhe nuk mbeti me kaq.
Kur Veliaj tentoi nga qelia t’ia kalonte kompetencat një tjetër nënkryetareje, Sara Goxhajt, Rama ndërhyri për të mbajtur të preferuarën e tij, Ristanin, në drejtimin e Bashkisë. Rama dhe Ristani edhe morën pjesë së bashku në inspektime dhe inaugurime të punëve të Tiranës.
Pra Ristani nuk ishte një figurë periferike që administronte në heshtje një institucion të paralizuar. Ajo u shfaq publikisht në drejtimin e Bashkisë, mori kompetencat e deleguara dhe u shoqërua politikisht nga vetë Rama.
Akoma më domethënëse është ajo që deklaronte vetë Bashkia e Tiranës.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar me Ristanin si “Kryetare e Deleguar”, thuhej prerë:
“Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj.”
Në të njëjtën deklaratë, Ristani falënderonte posaçërisht Edi Ramën, duke thënë se kryeministri “po i qëndron pranë stafit të Bashkisë dhe qytetit të Tiranës”.
Atëherë, për kë luhet ky teatër?
Ndërkohë, çështja penale e Veliajt duhet të mbetet aty ku i takon: në drejtësinë që po zvarrit qindra dosjet e tij. Akuzat ndaj tij duhet të provohen në gjykatë dhe të gjithë sytë janë nga SPAK. Por pikërisht për këtë arsye është problematike që Rama ta bashkojë fatin institucional të një qyteti me betejën gjyqësore të një individi dhe më pas t’ia faturojë gjyqësorit pasojat politike të kësaj zgjedhjeje.
Edhe pretendimi i tij se nuk shihet “prova e rrezikshmërisë ekstreme” është qëndrim i Ramës ndaj masës së sigurisë, jo një fakt i konstatuar prej tij. Gjykata e Lartë, përkundrazi, sapo ka vendosur të lërë në fuqi masën ndaj Veliajt: burgun.
Dhe këtu teatri politik bëhet i dukshëm: kur duhej treguar se Bashkia funksiononte, Ristani u paraqit si garancia e vazhdimësisë, mori kompetenca, zhvilloi aktivitetin institucional, abuzoi sa deshi dhe u largua. Sot, kur Veliaj mbetet në burg, Tirana papritur përshkruhet si një qytet që prej thuajse dy vitesh jeton “me kokë të prerë” dhe fatura i dërgohet drejtësisë.
Nëse Rama e dinte prej kaq kohësh se Tirana po jetonte “me kokë të prerë”, pse mazhoranca e tij e administroi këtë situatë për kaq gjatë dhe pse vetë ai promovoi publikisht drejtimin e deleguar të Bashkisë? Pse po sillemi sikur Veliaj e kishte të ndaluar të dorëhiqej kohë më parë?
Gjykata vendos për lirinë e Erion Veliajt. Përgjegjësinë politike për mënyrën se si është drejtuar Tirana gjatë mungesës së tij, Rama nuk mund t’ia delegojë këtij institucioni!