“Do të fus në punë, njoh njerëz me pozitë”/ 34-vjeçarja: Daja i deputetes më rrëmbeu e përdhunoi, Zegjine Çaushi e dinte: “Do na fusësh në telashe”

Detaje të rënda dalin nga dëshmia e Merita Gremaj, 34-vjeçares nga Roskoveci, e cila pretendon se është mbajtur peng për 45 ditë, është dhunuar, përdhunuar dhe kërcënuar me vdekje nga 52-vjeçari Bledar Bakaj, daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Gremaj ngre një tjetër pretendim të rëndë: sipas saj, deputetja Zegjine Çaushi ishte në dijeni të faktit se ajo ishte marrë me forcë nga daja i saj.
34-vjeçarja thotë se vetëm dy ditë pas pengmarrjes, Çaushi kishte shkuar në banesën ku ajo mbahej dhe kishte biseduar me Bakajn.
“E kam takuar. Pas dy ditësh erdhi. E mori përjashta dhe i tha ‘qysh e ke marrë’. Ai i tha ‘atë e di unë’.”
Gremaj pretendon se deputetja kishte shprehur edhe shqetësimin për pasojat që mund të sillte situata.
“Është daja i Zegjines drejtpërdrejt. E kam takuar pas dy ditësh. Do na fusë në telashe tha. Se unë nuk mbaj përgjegjësi për dajat ca bëjnë”, tha ajo.
Sipas rrëfimit të 34-vjeçares, njohja me Bledar Bakajn kishte nisur pasi ai i kishte premtuar një vend pune, duke pretenduar se kishte lidhje me persona në pozita të larta. Gremaj thotë se kishte nevojë për para për ilaçet e të atit dhe i kishte besuar premtimit.
“Ai thoshte që ka të bëjë me shefa të mëdhenj, por ishte gënjeshtër, roje tubash në ujësjellës punonte. Më kishte premtuar, ai është daja i Zegjinesë, por nuk e lidh puna fare, vetëm gënjeshtra dhe mashtrime.”
Më pas, sipas saj, Bakaj ishte paraqitur i veshur si mjek dhe kishte mashtruar të atin duke i thënë se vajzën po e merrte një ambulancë. Gremaj pretendon se ai e kishte çuar në Levan, ku e kishte përdhunuar, ndërsa më pas e kishte kërcënuar me vdekje.
“Ai nuk më dha dorën, më përdhunoi. Më tha do të vras po tregove. Një ditë më çoi në varreza, më tha këtu e ke vendin tënd.”
Gremaj këmbëngul se nuk kishte një marrëdhënie të lirë me 52-vjeçarin, por ishte mbajtur kundër vullnetit të saj për 45 ditë.
“Një 34-vjeçare të lidhej me një 52-vjeçar, asnjë nuk e beson, unë nuk isha lidhur, për 45 ditë më mbante dhe më përdhunonte. Më thoshte: ‘Do të vras, do të ther, më mbante në shtëpi’.”
Ajo tregon se arriti të largohej në ditën e 45-të, duke ikur përmes ullinjve dhe kanaleve, me ndihmën e djalit 14-vjeçar të Bakajt. Pas arratisjes, thotë se kërkoi ndihmë edhe te babai i saj, por ai nuk e pranoi në shtëpi nga frika e 52-vjeçarit.
“Vete te babi, i them më vrit ti, mos të më vrasë ai. Babi nuk më pranoi në shtëpi, më mbylli derën, kishte hall se i vriste ai. […] U ktheva prapë, nuk kisha rrugëzgjidhje. Kishte shkuar në shtëpi kur u kthyem, na kërcënoi”, rrëfeu Gremaj.
Dëshmia vjen pas ngjarjes së rëndë të së dielës në Roskovec, ku Bledar Bakaj plagosi me drapër ish-vjehrrin.
Por përtej akuzave ndaj Bakajt, rrëfimi i 34-vjeçares ngre pikëpyetje edhe mbi atë që deputetja Zegjine Çaushi dinte në atë kohë. Gremaj pretendon se deputetja shkoi në banesë vetëm dy ditë pas pengmarrjes, e pyeti dajën e saj “qysh e ke marrë” dhe paralajmëroi se situata mund t’i “fuste në telashe”.