Skip to content
Kryesore

Të bëhesh prind në Shqipëri kushton shtrenjtë, 66% e pagës vjetore vetëm për foshnjën

· 2 min lexim

Të rrisësh një foshnjë në Shqipëri gjatë vitit të parë kushton sa rreth 66% e pagës mesatare vjetore, duke e bërë vendin tonë të dytin më të shtrenjtë në Europë në raport me të ardhurat.

Të dhënat vijnë nga një përllogaritje e Remitly, sipas së cilës produktet bazë që i nevojiten një foshnjeje gjatë vitit të parë kushtojnë në Shqipëri rreth 5,532 euro.

Në krahasimin me pagat, vetëm Moldavia paraqitet më keq, ku këto shpenzime arrijnë në 88.8% të pagës mesatare vjetore. Mesatarja e 36 vendeve europiane të përfshira në këtë krahasim është vetëm 20.9%.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur Shqipëria krahasohet me vende me paga më të larta. Në Zvicër, produktet bazë për një foshnjë kushtojnë rreth 6,018 euro, pra më shumë se në Shqipëri, por përbëjnë vetëm 8% të pagës mesatare vjetore. Në Holandë pesha është 9.4%, në Gjermani 8.1% dhe në Francë 8.5%.

Edhe në vlerë absolute, Shqipëria rezulton ndër vendet më të shtrenjta të Europës. Me 5,532 euro në vit, ajo renditet e nënta mes 38 vendeve të analizuara. Përpara saj janë Spanja, Holanda, Finlanda, Suedia, Zvicra, Luksemburgu, Italia dhe Lituania.

Studimi është bazuar në çmimet e korrikut 2026 dhe llogarit 14 produkte bazë: pelena, peceta të lagura, krem kundër irritimit, shishe ushqyerjeje, qumësht formule, krevat dhe produkte për gjumin, ndenjëse makine, karrocë dhe veshje.

Në të gjithë Europën, kostoja mesatare e këtyre produkteve llogaritet në 4,727 euro për vitin e parë. Spanja ka faturën më të lartë, me 6,294 euro, ndërsa Mbretëria e Bashkuar më të ulëtën, me 2,813 euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e zënë veshjet, qumështi formulë dhe pelenat. Mesatarisht në Europë, këto tri kategori përbëjnë rreth 81% të faturës së produkteve bazë të një foshnjeje.

Por për familjet shqiptare problemi kryesor mbetet raporti mes çmimeve dhe të ardhurave. Pas Shqipërisë, ndër vendet ku kostoja rëndon më shumë mbi pagën renditen Turqia me 45.1%, Mali i Zi me 45%, Serbia me 41.4% dhe Bosnjë-Hercegovina me 36.1%.

Dhe fatura reale e prindërimit mund të jetë edhe më e lartë. Përllogaritja nuk përfshin çerdhet apo shërbimet e tjera të kujdesit për fëmijët, por vetëm produktet bazë të vitit të parë.

Kështu, ndërsa në shumë vende europiane produktet për foshnjën marrin më pak se 10% të një page mesatare vjetore, në Shqipëri ato përllogariten sa gati dy të tretat e saj.