Skip to content
Kryesore

SKANDALOZE! Personi i dhunuar brutalisht në protestë nga policia është turist amerikan, flet avokati

· 3 min lexim

Personi që u dhunua brutalisht nga efektivët e Policisë së Shtetit pranë Piramidës, gjatë protestës në Tiranë, rezulton të jetë një shtetas amerikan, i cili kishte mbërritur në Shqipëri si turist vetëm një ditë më parë!

Bëhet fjalë për Julian Charles Williams, i cili, sipas avokatit të tij, u sulmua nga rreth tetë policë, u godit edhe pasi ra në tokë dhe tashmë ndodhet në paraburgim me dëmtime të shumta fizike.

Identiteti dhe shtetësia e tij janë bërë të ditura nga avokati mbrojtës, i cili ka folur për News24, duke denoncuar dhunën e ushtruar ndaj klientit të tij.

Sipas avokatit, Williams kishte ardhur në Shqipëri me të fejuarën për turizëm dhe po ndiqte protestën kur tetë efektivë iu vërsulën pranë Piramidës.

“Kemi bërë kërkesë që ai të vizitohet, ka hematoma në kokë, te shpatulla dhe dora e majtë. Është një shtetas amerikan, Julian Charles Williams, dhe ka qenë duke parë dje protestën dhe në këtë kohë i janë vërsulur rreth 8 policë. Kur ai u rrëzua pranë Piramidës, këta e kanë dhunuar në mënyrë brutale dhe çnjerëzore,” u shpreh avokati.

Por denoncimi nuk përfundon me dhunën fizike. Avokati pretendon se ndaj shtetasit amerikan janë shkelur edhe procedurat ligjore gjatë marrjes në pyetje nga Oficeri i Policisë Gjyqësore.

Ai kërkon ndëshkimin e të gjithë efektivëve të përfshirë, si dhe masa ndaj oficerit përgjegjës për marrjen në pyetje.

“Ne kërkojmë jo vetëm të bëhet viral momenti, por edhe ata policë që e kanë dhunuar duhet të ndëshkohen, si dhe Oficeri i Policisë Gjyqësore që e ka marrë në pyetje duhet të ketë masë ndëshkimore, sepse e ka marrë në pyetje në shkelje të ligjit. Sot ai është në dhomat e paraburgimit ku e kam vizituar dhe është në gjendje jo të mirë shëndetësore,” theksoi ai.

Për rastin është njoftuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

“Kemi kontaktuar edhe Ambasadën e SHBA-së, që na ka udhëzuar se nuk mund të ndërhyjnë në këto momente, por po e ndjekin situatën nga larg. Ai erdhi si turist me të fejuarën, vetëm një ditë më parë. Është mjaft i tronditur,” përfundoi ai.

Zbulimi se personi i dhunuar është shtetas amerikan i jep ngjarjes edhe një dimension diplomatik, ndërsa denoncimi i avokatit ngre pikëpyetje serioze për veprimet e policisë shqiptare.

Një turist amerikan, i ardhur për të vizituar Shqipërinë, përfundon me hematoma në kokë e trup dhe në qeli, pas një ndërhyrjeje policore që avokati i tij e cilëson brutale dhe çnjerëzore.

Tashmë kërkohet të zbardhet përgjegjësia e tetë efektivëve të akuzuar për dhunën, si dhe ligjshmëria e procedurave të ndjekura ndaj shtetasit amerikan.