Aksident tragjik pranë tunelit të Murrizit, dy të vdekur dhe pesë të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë dy viktima dhe pesë persona të plagosur ka ndodhur paraditen e sotme, rreth orës 10:15, në Xibër, pranë tunelit të Murrizit.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, në aksident janë përfshirë dy automjete, të drejtuara nga shtetasit B. O., rreth 42 vjeç, dhe A. F., rreth 45 vjeç.
Përplasja ka rezultuar fatale për 42-vjeçarin B. O., drejtues i njërit prej automjeteve, si dhe për shtetasen M. F., e cila udhëtonte si pasagjere në automjetin e drejtuar nga A. F.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë janë transportuar në spital për kontroll mjekësor. Ende nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të përplasjes.